Shtëpia e Bardhë thërret takim urgjent, duhen 50 miliardë dollarë për rimbushjen e arsenalit
Administrata Trump po përgatitet për një takim urgjent sot me drejtuesit e kontraktorëve më të mëdhenj të mbrojtjes në Shtëpinë e Bardhë. Qëllimi kryesor është përshpejtimi i prodhimit të armëve, ndërsa Pentagoni përpiqet të rimbushë rezervat e zbrazura pas sulmeve të fundit ushtarake ndaj Iranit.
Pesë burime të njohura me planin konfirmuan për agjencinë Reuters se kompanitë kryesore, përfshirë Lockheed Martin dhe RTX (ish-Raytheon), janë ftuar të marrin pjesë në këto diskutime private.
Takimi nënvizon një krizë të heshtur në Uashington: harxhimi i shpejtë i municioneve gjatë operacioneve në Iran ka krijuar një mungesë kritike. Që nga fillimi i luftës në Ukrainë në vitin 2022 dhe operacioneve në Gaza, SHBA-të kanë tërhequr miliarda dollarë nga arsenalet e tyre.
Megjithatë, konflikti i fundit me Iranin ka konsumuar raketa me rreze të gjatë veprimi në një ritëm shumë më të lartë se ai i dërguar më parë për Kievin, duke vënë në pikëpyetje qëndrueshmërinë e sulmeve të mëtejshme.
Në aspektin financiar, Zëvendës Sekretari i Mbrojtjes, Steve Feinberg, po finalizon një kërkesë shtesë buxhetore prej rreth 50 miliardë dollarësh. Këto fonde do të përdoren ekskluzivisht për zëvendësimin e sistemeve të përdorura në Lindjen e Mesme, si raketat Tomahawk dhe operacionet e avionëve F-35.
Megjithëse Presidenti Trump deklaroi në rrjetet sociale se SHBA-të kanë një “furnizim praktikisht të pakufizuar”, hapat konkretë të Pentagonit tregojnë një realitet tjetër.
Për tu përgjigjur kësaj nevoje, administrata po shton presionin ndaj industrisë private. Raytheon ka arritur një marrëveshje për të rritur prodhimin e raketave Tomahawk në 1.000 njësi në vit, një rritje masive krahasuar me planin aktual prej vetëm 57 raketash për vitin 2026.
Presidenti Trump ka paralajmëruar kontraktorët përmes një urdhri ekzekutiv, duke kërkuar që prodhimi të jetë prioritet mbi fitimet e aksionarëve. Pentagoni pritet të publikojë së shpejti një listë të kompanive me performancë të dobët, të cilat rrezikojnë ndërprerjen e kontratave nëse nuk paraqesin plane të menjëhershme për rritjen e kapaciteteve prodhuese. /tesheshi






