Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Vazhdojnë protestat në Jordani, kërkohet heqja e masave të kursimit

Vazhdojnë protestat në Jordani, kërkohet heqja e masave të kursimit

Protestat masive në mbarë Jordaninë kanë vazhduar edhe mbrëmë, shtatë ditë pasi Qeveria e këtij vendi miratoi ligjin e ri të tatimeve që parasheh taksa të reja për të ardhurat e punëtorëve, raporton Anadolu Agency (AA).

Protesta kryesore edhe mbrëmë është mbajtur në Aman në afërsi të selisë së Qeverisë ndërsa protesta të ngjashme janë mbajtur edhe në qytetet tjera, përfshirë Irbid, Er-Remse dhe Al-Kerak.

Protestat u ndoqën nën masa të larta të sigurisë ndërsa demonstrantët kërkuan heqjen e plotë të ligjit mbi tatimin, por edhe moratorium për rritjen e çmimit të energjisë elektrike, karburantit dhe energjensave tjerë.

Kryeministri jordanez Hani al-Mulki të hënën dha dorëheqje tek mbreti Abdullah II i cili e pranoi dorëheqjen dhe emëroi ministrin e Arsimit Omar al-Razzaz për mandatar të Qeverisë së re.

Arsyeja për protesta ishte vendimi i javës së kaluar i Qeverisë së Jordanisë për të vendosur tatime shtesë për të gjithë të punësuarit, të ardhurat vjetore të të cilëve tejkalojnë pragun prej 8.000 dinarëve jordanezë (11.200 dollarë). Plani për vendosjen e tatimit shtesë për pagën do t’i sillte arkës shtetërore 140 milionë dollarë shtesë.