Vazhdon “ikja e trurit” nga Greqia

Për shkak të krizës financiare në fusha të shumta vazhdon “ikja e trurit” nga Greqia. Një numër i madh i mjekëve po largohen nga shteti i tyre për shkak të kushteve ekonomike dhe problemeve në fushën e shëndetësisë.

Presidenti i Shoqatës së Mjekëve të Athinës (ISA), Yorgos Patulis në një konferencë për media të mbajtur me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të institucioneve të ndryshme shëndetësore, tha se kriza ekonomike e cila vazhdon për rreth 9 muaj ka ndikuar thellësisht në fushën e shëndetësisë raporton Anadolu Agency (AA).

Sipas tij, numri i mjekëve të cilët kanë emigruar në shtetet e jashtme për shkak të papunësisë dhe rënies së pagave ka arritur në nivel rekord.

Patulis thotë se niveli i mjekëve të papunë në Greqi ka arritur në 28 për qind dhe se mesatarisht 1.500 mjekë gjatë 5 viteve të fundit kanë kërkuar dokument për të shërbyer në shtetet e huaja. “Ky është një rekord. Mjekët po largohen nga vendi”, thotë ai.

Ai thotë se reformat në fushën e shëndetësisë në vend se t’i zgjidhin problemet po i vështirësojnë edhe më tej ato. Patulis pretendon se Ministria e Shëndetësisë nuk po tregon seriozitetin e duhur për çështjet kritike në këtë fushë.

Patulis thekson se praktikat e qeverisë për këtë fushë dhe përkufizimet e vendosura në paga shkaktojnë largimin e mjekëve nga Sistemi Shëndetësor i Greqisë (EOPYY).

“Ministria i trajton mjekët dhe qytetarët si qytetarë të klasit të dytë. Duke shkaktuar ‘ikjen e trurit’ po bëjnë që njerëzit të mbeten të privuar nga shërbimet cilësore shëndetësore. Të gjithë duhet të kuptojnë se pa mjekë nuk do të ketë shëndet”, thotë Patulis.