Shtabi i Përgjithshëm i Republikës së Turqisë ka njoftuar se avionët e Forcave Ajrore Turke në kuadër të operacionit “Dega e Ullirit” kanë shkatërruar edhe 45 objektiva të organizatës terroriste, si strehimore, depo të armëve dhe pozicione të zjarrit, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një deklaratë të publikuar në faqen e shtabit rikujtohet se Operacioni “Dega e Ullirit”, që është nisur nga TSK me qëllim të ofrimit të sigurisë dhe të stabilitetit në kufijtë e Turqisë dhe në rajon, për neutralizimin e terroristëve anëtarë të PKK/KCK/PYD-YPG dhe DEASH-it në rajonin e Afrinit, në veriperëndim të Sirisë dhe për shpëtimin e popullit mik dhe vëllazëror të rajonit nga presionet dhe persekutimet e këtyre organizatave, po vazhdon ashtu siç është planifikuar.
Ndër të tjera në deklaratë vihet në dukje se operacioni po realizohet duke respektuar të drejtat në kuadër të vendimeve të veçanta të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara në çështjen e luftës kundër terrorizmit dhe në kuadër të të drejtës legjitime të vetëmbrojtjes sipas nenit 51 në marrëveshjen e Kombeve të Bashkuara, si dhe në respektim të sovraniteti territorial të Sirisë.
“Forcat tona Ajrore në kuadër të operacionit ‘Dega e Ullirit’ kanë shkatërruar edhe 45 objektiva të organizatës terroriste si strehimore, depo të armëve dhe pozicione të zjarrit. Janë kthyer të sigurt në bazë për përgatitjet e ardhshme 32 avionë të cilët kanë marrë pjesë në operacion. Ofensiva po vazhdon ashtu siç është planifikuar. Gjithashtu në planifikimin dhe realizimin e operacionit do të vendosen në objektiv vetëm dhe vetëm terroristët dhe objektivat që u përkasin atyre, si strehimore, ndërtesa, automjete dhe pajisje të tyre, si dhe do të tregohet çdo kujdes dhe ndjeshmëri që civilët dhe personat e pafajshëm të mos dëmtohen”, thuhet në njoftim.
– Shefi i Ushtrisë Turke bisedë telefonike me homologun iranian
Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Turqisë, Hulusi Akar, ka zhvilluar një bisedë telefonike me Shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Iranit, Muhammed Bagheri.
Shefi i Ushtrisë Turke, Akar, në bisedën telefonike me homologun iranian, Bagheri, ka shkëmbyer pikëpamjet në lidhje me problemet e sigurisë në Siri, dhe të bashkëpunimit të kryer në luftën kundër organizatave terroriste.