Policia e Kosovës është duke vazhduar operacionin e kërkimit për personin e zhdukur Alush (Vesel) Kastrati, i cili është raportuar i zhdukur që nga 7 marsi në fshatin Zatriq, në komunën e Rahovecit.
Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjakovë ka angazhuar një numër të madh njësish policore që po zhvillojnë kërkime intensive në terren, duke përfshirë zona malore dhe hapësira të tjera përreth.
“Në kuadër të këtij operacioni, njësitë policore kanë dalë në terren dhe kanë zhvilluar patrullime intensive në një perimetër të zgjeruar kërkimi, duke përfshirë zona malore dhe hapësira të tjera përreth”, thuhet në njoftimin e policisë.
Në operacionin e kërkimit janë angazhuar njësitë patrulluese të Policisë së Kosovës, Njësia për Reagim të Shpejtë, njësia me dron për monitorim nga ajri, si dhe njësia K9 me qen kërkues.
Gjithashtu, në këtë operacion janë përfshirë edhe Njësia e Kërkim-Shpëtimit e FSK-së, zjarrfikësit, Shoqata e Kosovës për Kërkim dhe Shpëtim, si dhe qytetarë vullnetarë që kanë ofruar mbështetje në terren.
Policia bëri të ditur se mbështetje në këtë iniciativë ka ofruar edhe kryetari i Komunës së Rahovecit, duke ndihmuar në koordinimin e institucioneve lokale dhe komunitetit për gjetjen e personit të zhdukur.
Operacioni i kërkimit po vazhdon.








