Vendet e Evropës Jugore thirrje BE-së për “më shumë veprim në çështjen e migracionit”

Nëntë vende të Evropës Jugore (EU-MED9), të cilat janë anëtare të Bashkimit Evropian (BE) dhe që shumica e tyre kufizohen me Mesdheun, i bënë thirrje BE-së për “më shumë veprim” për të ndaluar migracionin në burimin e tij, transmeton Anadolu.

Grupi i njohur si “MED9” dhe i cili përbëhet nga Italia, Franca, Portugalia, Kroacia, Greqia, Malta, Administrata Greke e Qipros Jugore, Sllovenia dhe Spanja, publikuan deklaratë përfundimtare pas Samitit të 10-të të Liderëve që mbajtën dje në kryeqytetin e Maltës, Valetta.

Në deklaratë liderët e MED9 i bënë thirrje BE-së që të rrisë në masë të rëndësishme luftën e saj kundër migracionit në vendet e origjinës dhe tranzitit. Gjithashtu liderët e MED9, përfshin në deklaratë edhe kërkesën e tyre që negociatat për “marrëveshjen e re të BE-së për Migracionin dhe Azilin” të përshpejtohen dhe të arrihet marrëveshje përpara përfundimit të periudhës aktuale legjislative të Komisionit Evropian (KE).

Po ashtu u kërkua që të vihet në zbatim me shpejtësi edhe memorandumi i mirëkuptimit që u nënshkrua mes Tunizisë dhe BE-së më 16 korrik në fushën e luftës kundër migracionit dhe tregtisë së parregullt.

Në deklaratë teksa nënvizohet angazhimi për sigurimin e mbështetjes ndaj Ukrainës në luftën Rusi-Ukrainë, thuhet: “Konfirmojmë edhe njëherë se dënojmë luftën agresive të Rusisë që vazhdon kundër Ukrainës. Rusia ka përkeqësuar krizën e sigurisë ushqimore duke ndalur Iniciativën e Drithit në Detin e Zi”.

“Të vetëdijshëm për vështirësitë globale që paraqiten kryesisht lidhur me ndryshimin klimatik dhe sigurinë ekonomike, ne presim me padurim përfundimin e reformës së Rregullave të Qeverisjes Ekonomike të BE-së”, thuhet në deklaratën përfundimtare në të cilën shprehet edhe besimi se kjo reformë duhet të forcojë aftësinë e inkurajimit të rritjes ekonomike në mënyrë të qëndrueshme në aspektin financiar të Evropës.

Më tej vihet në dukje se ka nevojë për revizion afatmesëm në “Kuadrin Financiar Shumë-Vjeçar 2021-2027” të BE-së. Në deklaratën ku theksohet vendosmëria për të forcuar projektin evropian dhe për të plotësuar procesin integrues, thuhet se “Në kuadër të kësaj, konfirmojmë edhe njëherë angazhimin tonë të qartë dhe të plotë për perspektivën e anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor, Moldavisë dhe Ukrainës në BE”.

Duke iu referuar katastrofës së tërmetit në Marok dhe përmbytjeve në Libi, në deklaratën përfundimtare theksohet: “Jemi thellësisht të pikëlluar nga shkatërrimi i tmerrshëm dhe humbja e jetëve që ka ndodhur në rajonin tonë fqinj kohët e fundit dhe shprehim solidaritetin tonë. Do të vazhdojmë mbështetjen tonë ndaj rajoneve të prekura”.

Po ashtu në deklaratë bëhet e ditur se samiti i ardhshëm do të mbahet në Administratën Greke të Qipros Jugore.