Venezuela lëshon urdhër arresti për ish-liderin e opozitës Juan Guaido

Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të Venezuelës njoftoi të enjten vonë lëshimin e një urdhri arresti për ish-liderin e opozitës Juan Guaido, transmeton Anadolu.

Prokurori i Përgjithshëm i Venezuelës Tarek William Saab tha në një konferencë për shtyp se urdhri është lëshuar për Guaidon, i cili jeton në ShBA që nga prilli, me akuzat për “pastrim parash, tradhti dhe shkaktim të dëmit ekonomik ndaj shtetit”.

Duke theksuar se tre prokurorë janë caktuar për të kryer procesin ligjor në lidhje me Guaidon, Saab tha se do të paraqesin njoftim të kuq deri te Interpoli për arrestimin e tij.

Sipas Saabit, Guaido ka krijuar një qeveri të rreme, duke i shkaktuar shtetit humbje prej 19 miliardë dollarësh dhe kompania shtetërore venezuelase e naftës PDVSA i ka siguruar atij financim nëpërmjet degës së saj Citgo në ShBA.

Duke shprehur shpresën se Guaido do t’i dorëzohet vendit me ndihmën e kanaleve të bashkëpunimit ndërkombëtar, kryeprokurori vuri në dukje se ndaj tij janë hapur një numër i madh dosjesh hetimore.

Guaido, ish-kryetar i Asamblesë Kombëtare të Venezuelës, mbërriti në Miami të Floridës në ShBA më 25 prill pasi u deportua nga autoritetet në Kolumbi, të cilët thanë se ai kaloi kufirin e tyre ilegalisht për të marrë pjesë në një konferencë mbi Venezuelën në vend.

Ai u shpreh i kënaqur për daljen e qetë me ndërhyrjen e ShBA-së.

Ai e shpalli veten “presidenti i përkohshëm” i Venezuelës më 23 janar 2019 dhe mori mbështetjen e shumë vendeve të Amerikës Latine dhe Perëndimore, veçanërisht të ShBA-së.

Zgjedhjet parlamentare të mbajtura në Venezuelë më 7 dhjetor 2020 u fituan nga koalicioni qeveritar i udhëhequr nga presidenti Nicolas Maduro, ndërsa opozita e udhëhequr nga Guaido bojkotoi votimin.