Veseli insiston që Demarkacioni të kalojë sot – përkundër pengesave

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, po insiston që marrëveshja për shënimin e kufirit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi të ratifikohet ditën e sotme edhe përkundër paralajmërimeve se Lista Serbe mund të mos marr pjesë në seancë.

Burime të Indeksonline brenda kabinetit të kryeparlamentarit Kadri Veseli bëjnë të ditur se Veseli beson se një pjesë e deputetëve të Vetëvendosjes do t’i thërrasin arsyes dhe do të votojnë pro ratifikimit të demarkacionit që do ti hapte rrugë liberalizimit të vizave për qytetarët kosovarë.

Të njëjtat burime bëjnë të ditur se kryeparlamentari Veseli po insiston që marrëveshja duhet të ratifikohet në ditën që në Kosovë do të qëndrojnë presidenti i Komisionit Evropian Junker.

Veseli edhe në ditët e fundit k deklaruar se deputetët qe do ta votojnë shënimin e kufirit me Malin e Zi janë patriotët e vërtetë që do ta forcojnë sovranitetin e Republikës së Kosovës dhe do ti hapin perspektivë evropiane qytetarëve për lëvizje të lirë në vendet e Bashkimit Evropian.