Në disa raste ka ndodhur që disa politikanë të lartë, duke vepruar jashtë Komisionit Shtetëror dhe pa qenë mjaftueshëm të njohur me çështjen e shkëmbimeve, të negocionin vetë marrëveshje, që në thelb ishin të pafavorshme, para së gjithash për të burgosurit e luftës që nuk përfshiheshin në këto marrëveshje. Sa herë ndodhnin situata të këtilla, Presidenti na jepte mbështetje të pakushtëzuar, madje edhe atëherë kur për një qëndrim të tillë nuk gjente mirëkuptim nga ata që kishin vepruar jashtë kompetencave të tyre.
Shkruan: Amor MASHOVIQ*, Tuzla
Duke ndarë mendimet e të gjithë atyre që kanë folur dhe shkruar për Presidentin e ndjerë Alija Izetbegoviq, si njërën nga figurat më të rëndësishme jo vetëm të historisë më të re, por edhe të asaj të përgjithshme të Bosnjë e Hercegovinës, për njeriun që ende sa ishte gjallë siguroi vend në historinë europiane dhe botërore si udhëheqës i madh, filozof, mendimtar, shkrimtar, humanist, demokrat, burrë i urtë, burrështetas, komandant suprem, besimtar i sinqertë, dashamirë i të vërtetës dhe drejtësisë, luftëtar për të drejtat e njeriut dhe shumëçka tjetër, dëshiroj që të ndalem shkurt në rolin e tij që pati gjatë kohës së agresionit ndaj Republikës së Bosnjës dhe Hercegovinës (1992–1995) në proceset e shkëmbimit të të burgosurve të luftës dhe kërkimit të personave të zhdukur në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe në shtetet fqinje.
Që në fillim të agresionit të kryer nga shtetet fqinje, Serbia dhe Mali i Zi, në prill të vitit 1992, Qeveria e Republikës së Bosnjës dhe Hercegovinës, e udhëhequr nga Partia e Aksionit Demokratik në krye me z. Izetbegoviq, e vlerësoi si të domosdoshëm krijimin e një komisioni që do të merrej me përkujdesjen e të burgosurve të luftës dhe civilëve të privuar nga liria gjatë spastrimeve etnike të territoreve që, sipas synimeve të agresorëve, duhej të bëheshin pjesë e projekteve të tyre për formimin e shteteve të mëdha. Pikërisht falë këtij vendimi të mençur dhe, do të guxoja të thosha, vizionar, shumë të burgosur lufte dhe civilë u liruan përmes proceseve të shkëmbimeve shumë para nënshkrimit të Marrëveshjes së Uashingtonit (1994) dhe më vonë Marrëveshjes së Dejtonit (1995).
Presidenti Izetbegoviq, asnjëherë nuk bëri dallim mbi baza etnike ose ndonjë dallim tjetër te personat e privuar nga liria. Më kujtohet angazhimi i tij i vazhdueshëm dhe kujdesi për fatin e z. Vlladimir Srebrov, njërit prej themeluesve dhe autorëve të akteve themeluese të Partisë Demokratike Serbe. Z. Srebrov u arrestua nga kriminelët serbë gjatë kalimit nga pjesa e lirë në pjesën e pushtuar të Sarajevës, me qëllim dhe bindje se do të mund t’i ndërpriste bombardimet e përditshme, gjuajtjet nga snajperët, urinë dhe ndërprerjen e furnizimit me ujë për qytetarët e Sarajevës. Ai u dërgua në një mal mbi qytet ku u rrah brutalisht, ndërsa për shkak të fjalëve që kishte thënë, iu thye edhe nofulla. Në takimet e mia të mëvonshme që kisha me Presidentin, nuk kalonte pa u interesuar për fatin e z. Srebrov dhe pyeste nëse ai mund të bënte diçka për ta liruar. Për fat të keq, lirimi i z. Srebrov ishte në kundërshtim me të gjitha qëllimet e agresorëve, andaj burgosja e tij në kazamatin “Kule” do të zgjaste më shumë se tre vjet. Ende e kam të gjallë në kujtesë çastin kur z. Srebrov më në fund u shkëmbye, përqafimin e ngrohtë me Presidentin, kostumin e tij të bardhë me gjurmë të gjakut të tharë të shkaktuar prej rrahjeve, si dhe lutjen që ai ma drejtoi mua që të përpiqeshim t’i shkëmbenim djemtë nga vendi Grapska pranë Doboit, të cilët kishin kaluar nëpër disa kampe. Një takim prekës mes dy njerëzve që, edhe pse krejt të pafajshëm, një pjesë të rëndësishme të jetës së tyre e kishin kaluar nëpër burgje. Kujdesin e tij për të burgosurit Presidenti shpeshherë e shfaqte edhe duke i pritur ata personalisht në kabinet menjëherë pas lirimit, duke biseduar me secilin prej tyre, duke u interesuar për trajtimin e tyre në kampe dhe për familjet e tyre. Edhe pse shumica prej tyre ishin boshnjakë, mes të shkëmbyerve kishte edhe serbë e kroatë të Bosnjës, romë, gazetare turke e jordaneze, gazetarë vendas e kameramanë, mjekë, punonjës humanitarë e të tjerë.
Për marrëdhënien tij të veçantë dhe kujdesin ndaj të burgosurve dëshmojnë edhe dy shembujt e mëposhtëm.
I pari lidhet me shkëmbimin e tri vajzave nga burgu “Shtëpia e Karamanit” në vendin Miljevina pranë Foçës. Vajzat, për muaj të tërë, kishin qenë të ekspozuara ndaj të gjitha formave të mundshme të dhunës seksuale nga kriminelët serbë dhe malazezë. Agresori e kushtëzoi shkëmbimin e tyre me lirimin e një shtetasi malazez, i cili para luftës ishte dënuar me shumë vite burgim për vrasjen e dy personave. Pra, bëhej fjalë për një person që nuk i plotësonte aspak kriteret për shkëmbimin e të burgosurve të luftës dhe për këtë arsye, në rrethana normale, nuk mund të shkëmbehej. Megjithatë, duke e ditur se çfarë po përjetonin ato vajza, kërkova nga Presidenti që Kryesia e shtetit, si organ kompetent, të merrte vendim për faljen e malazezit të dënuar. Presidenti, e më pas edhe anëtarët e tjerë, pa asnjë hezitim e pranuan kërkesën dhe mundësuan lirimin e vajzave, më e reja nga të cilat ishte vetëm 14 vjeçe.
Shembulli i dytë tregon jo vetëm kujdesin e Presidentit, por edhe besimin e tij ndaj nesh që kishim detyrën e organizimit dhe realizimit të shkëmbimeve. Në disa raste ka ndodhur që disa politikanë të lartë, duke vepruar jashtë Komisionit Shtetëror dhe pa qenë mjaftueshëm të njohur me çështjen e shkëmbimeve, të negocionin vetë marrëveshje, që në thelb ishin të pafavorshme, para së gjithash për të burgosurit e luftës që nuk përfshiheshin në këto marrëveshje. Sa herë ndodhnin situata të këtilla, Presidenti na jepte mbështetje të pakushtëzuar, madje edhe atëherë kur për një qëndrim të tillë nuk gjente mirëkuptim nga ata që kishin vepruar jashtë kompetencave të tyre.
Kujdesi i Presidentit për të burgosurit dhe personat e zhdukur vazhdoi edhe gjatë negociatave, por edhe pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Paqes së Dejtonit. Pikërisht falë angazhimit të tij të palodhur, në këtë marrëveshje u përfshinë dispozita që ua impononin të gjithë nënshkruesve lirimin e të gjithë të burgosurve të luftës, si dhe klauzola që garantonin kërkimin e personave të zhdukur gjatë agresionit. Implementimi i këtyre dispozitave, përmes marrëveshjeve ndërshtetërore dhe atyre ndëretnike, falë aftësisë së negociatorëve tanë, mundësoi që gjykatësit hetues, prokurorët, inspektorët e krimit, ekspertët e mjekësisë ligjore policët dhe ne, anëtarët e komisioneve për të zhdukurit, të lëviznim lirshëm nga një entitet në tjetrin pa asnjë pengesë apo kushtëzim.
Pikërisht këto dispozita të Marrëveshjes së Paqes së Dejtonit dhe zbatimi i tyre i mëvonshëm, do ta vendosë Bosnjë e Hercegovinën në vendin e parë në botë për zgjidhjen e çështjes së personave të zhdukur në konfliktet e armatosura.
Të dhënat statistikore, në mënyrë të pakontestueshme, dëshmojnë se në mesin e të burgosurve të luftës dhe personave të zhdukur shumicën dërrmuese e përbëjnë boshnjakët. Më shumë se 130.000 boshnjakë janë mbajtur të mbyllur në kampe përqendrimi, mes tyre edhe në dhjetëra kampe vdekjeje. Nga 32.152 persona të regjistruar si të zhdukur, mbi 84 për qind janë boshnjakë, çdo person i nëntë i zhdukur është grua, ndërsa çdo i njëzetepesti është fëmijë nën moshën 18 vjeç, duke përfshirë këtu edhe të porsalindurit. Në mesin e të zhdukurve ka edhe persona mbi 100 vjeç. Në Bosnjë e Hercegovinë deri më sot janë zbuluar më shumë se 1.000 varreza masive. Janë zhvarrosur katër të pestat e të gjithë të zhdukurve, mbi 91% e të cilëve janë identifikuar dhe u janë dorëzuar familjeve të tyre.
Gjithë kjo u bë e mundur falë rolit vizionar të Presidentit Izetbegoviq dhe Qeverisë së Republikës së Bosnjë e Hercegovinës, si dhe përkushtimit, këmbënguljes, guximit dhe profesionalizmit të një grupi të vogël njerëzish në institucionet përgjegjëse për shkëmbimet e pengjeve të luftës dhe kërkimin e të zhdukurve, si dhe partnerëve të tyre nga drejtësia, policia, forenzika, ICMP dhe të tjerë.
*Autori është ish-kryetar i Komisionit Shtetëror për Shkëmbimin e të Burgosurve të Luftës në Qeverinë e Republikës së Bosnjës dhe Hercegovinës dhe ish-anëtar i Kolegjiumit të Drejtorëve të Institutit për Personat e Zhdukur të Bosnjë e Hercegovinës.
(Përktheu: Idaete SINANI)








