Villarreali befason sërish, eliminon edhe Bayernin

Villarreali është në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve. Skuadra spanjolle ka luajtur baras (1-1) në Allianz Arena ndaj Bayern Munichut duke u kualifikuar tutje.

Në sfidën e parë të zhvilluar në Estadio de la Ceramica, Nëndetësja e Verdhë e fitoi me rezultat 1-0 dhe pas barazimit (1-1) në Munih, vazhdon në gjysmëfinale me rezultat të përgjithshëm prej 2-1.

Një gjysmë e parë, në të cilën nuk pati shumë raste konkrete shënimi nga të dyja skuadrat. Prej situatave për të realizuar ishte goditja e Jamal Musiala me kokë pas një harkimi në zonë, por portieri Geronimo Rulli bëri një intervenim të mirë për t’ia mohuar golin.

Edhe në minutat në vijim rrjetat nuk u prekën, ashtu që skuadrat shkuan në pushim me rezultatin e fillimit të takimit.

Nuk vonoi reagimi i bavarezëve në gjysmën e dytë të ndeshjes duke e shënuar golin e epërsisë. Thomas Muller dërgoi një pasim te Robert Lewandowski, i cili krijoi hapësirë dhe goditja e tij u ndal në rrjetë (52’).

Një mundësi shumë të mirë shënimi e pati Muller në minutat në vazhdim, mirëpo goditja e tij me kokë shkoi pranë shtyllës.

Dhe erdhi momenti i ndëshkimit. Gerard Moreno e gjeti në zonë Samuel Chukwuezen dhe ky i fundit e barazoi rezultatin (88’).

Ky ishte goli që e dërgoi Villarrealin në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve në dëm të Bayern Munichut që u eliminua nga gara më e madhe evropiane për klube.