Vjedhja e dy milionëshit, sekuestrohen tri vetura

Tri vetura të personave që u përfshin në vjedhjen e dy milionëshit janë sekuestruar dje me urdhër të Prokurorisë Speciale të Kosovës.

Kjo u bë e ditur nga Policia e Kosovës përmes raportit 24 orësh, ku është theksuar se rasti ka ndodhur mbrëmjen e së shtunës në Drenas.

“Drenas 09.10.2020 – NN. Me 24.10.2020 21:30. Lidhur me rastin, me urdhër të prokurorit të Prokurorisë Speciale të Kosovës, janë sekuestruar tri vetura. Rasti është duke vazhduar të hetohet”, thuhet në raportin e PK-së.

Katër herë me radhë, zyrtari i Thesarit dyshohet se ka transferuar 2,077,995.90 eurot e shtetit në llogarinë e kompanisë “LDA Group”, me bazë në Llapushnik të Drenasit, pronarët e së cilës ndodhen në arrati.

Për të arrestuarin e vetëm për këtë rast, zyrtarin e Thesarit, Labinot Gruda, Gjykata Themelore e Prishtinës sot ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh.