I gjithë lavdërimi dhe falënderimi i takon Allahut xh.xh. Atë, e lavdërojmë, prej Tij falje, ndihmë dhe udhëzim kërkojmë. Kërkojmë mbrojtje dhe strehim tek Ai nga e keqja e shpirtrave dhe veprat tona të këqija. Atë që Allahu e udhëzon, askush nuk mund ta largojë nga rruga e drejtë, dhe atë që Ai e lë në humbje, askush nuk mund ta udhëzojë. Dëshmojmë se nuk ka te adhuruar tjetër përveç Allahut një, të Vetmit, i Cili nuk ka shok, dhe dëshmojmë se Muhamedi a.s. është rob dhe i dërguari i Tij, të cilin Ai e dërgoi si mëshirë për te gjitha botët dhe bekim për shpirtrat njerëzorë, dhe me mesazhin e të cilit ai ndriçoi arsyen, hapi sytë e verbër, veshët e shurdhër dhe zemrat e mbyllura. Salavatet, dhe selamet e Allahut qofshin mbi të, mbi familjen, mbi shokët e tij dhe mbi të gjithë ata qe ndjekin rrugën tij, deri në Ditën e Gjykimit. Fjala më e vërtetë është Libri i Allahut, lidhja më e fortë është lidhja e devotshmërisë, besimi më i mirë është besimi i Ibrahimit a.s., rrëfimi më i bukur është fjala e Allahut, dhe udhëzimi më i mirë është udhëzimi i Muhamedit, a.s. Gjërat më të këqija në fe janë bidatet – risitë, dhe çdo bidat është mashtrim, çdo mashtrim është ne zjarr.
Vëllezër besimtarë, bota është një kënaqësi mashtruese, është vend sprovash dhe arën luftimesh, përderisa bota e përtejme është një vend pushimi të përjetshëm, llogaridhënieje, shpërblimi dhe ndëshkimi. I Lartësuari thotë: “Kush bën një të mirë, do ta shohë atë, dhe kush bën një të keqe, do ta shohë atë.” (Ez-Zilzal, 7-8)
Kini frikë Allahun dhe veproni atë që iu ka urdhëruar, e largohuni nga ato që Ai i ka ndaluar! Lidhur me këtë Allahu xh.xh. thotë: “O ju që besuat, kini frikë Allahun, dhe le të shikojë çdo njeri atë që ka përgatitur për nesër, dhe kini frikë Allahun, sepse Ai e di mirë se çfarë bëni.” (El-Hashr, 18)
Vëllezër të nderuar, pjesët e kohës, në pamjen e tyre, ngjajnë me njëra-tjetrën, por Allahu, xh.xh., i bëri disa pjesë të kohës më të vlefshme dhe më të mira se të tjerat, i dalloi dhe i bekoi ato në mënyrë të veçantë. P.sh. Nata e Kadrit, shkëlqeu mbi të gjitha netët. Dita e Xhuma dhe Dita e Arafatit u dalluan mbi ditët e tjera. Ai e bëri Ramazanin muajin më të mirë, zbriti Kuranin në të dhe përcaktoi agjërimin. Ai i bëri muaj të caktuar të shenjtë me shkronjën e Kuranit dhe i paralajmëroi – u bëni vërejtje atyre që shkelin shenjtërinë e tyre, Allahu ne Kur’an thotë: “Numri i muajve tek Allahu është dymbëdhjetë, sipas Librit të Allahut, që nga dita kur Ai krijoi qiejt dhe tokën, dhe katër janë të shenjtë; ky është besimi i vërtetë. Mos mëkatoni në to! (mos i bëni padrejtësi vetes).” (Et-Tewbe, 36)
Pejgamberi, a.s., në hytben e tij lamtumirëse (hutbetul-vedā), konfirmoi dhe theksoi shenjtërinë e këtyre muajve. Ebu Bekri, r.a., transmeton se Pejgamberi a.s., në fjalimin e tij të lamtumirës ka thënë: “Koha, në këtë formë, u vendos në ditën kur Allahu i krijoi qiejt dhe tokën. Ka dymbëdhjetë muaj në vit, katër prej tyre janë të shenjtë, nga të cilët tre janë të njëpasnjëshëm: Dhul-Kada, Dhul-Hixhe dhe Muharrem, dhe njëri ndodhet midis dy muajve Xhumada dhe Sha’ban, dhe ai është Rexhebi.” Pastaj ai pyeti: “Çfarë muaji është ky?” “Allahu dhe i Dërguari i Tij e dinë më mirë,” u përgjigjën shokët, dhe ai heshti aq shumë sa ata menduan se do ta thërrisnin me një emër tjetër, dhe pastaj ai tha: “A nuk është Dhul-Hixhe?” “Është,” u përgjigjën ata. “Cili qytet është ky?” Ai pyeti përsëri, dhe ata thanë: “Allahu dhe i Dërguari i Tij e dinë më mirë”, kështu që ai heshti përsëri aq shumë sa ata menduan se do ta quanin me një emër tjetër, dhe pastaj ai tha: “A nuk është Meka?” “Është,” u përgjigjën ata. “Çfarë dite është kjo?”, pyeti ai, dhe ata u përgjigjën: “Allahu dhe i Dërguari i Tij e dinë më mirë”, kështu që ai heshti aq shumë sa ata menduan se do ta quanin me një emër tjetër, dhe pastaj ai tha: “A nuk është Dita e Neharit – sakrificë, sakrificë?” “Është,” u përgjigjën ata, dhe ai tha: “Jeta juaj, pasuria juaj dhe nderi juaj janë të ndaluara për ju – të shenjta, ashtu siç janë të ndaluara dhe të shenjta këtë ditë, në këtë qytet dhe në këtë muaj. Ju me siguri do të dilni para Zotit tuaj, dhe Ai do t’ju pyesë për veprat tuaja. Mos u ktheni, pas meje, në gabime duke vrarë njëri-tjetrin. Ju qe jeni këtu prezent përcillni te ata që mungojnë.” Pastaj ai pyeti: ” A e përcolla detyrën dhe mesazhin e besuar të Allahut tek ju, o njerëz?”, dhe e përsëriti dy herë. (Muttefekun alejhi)
Xhemate te respektuar, ai që kryen gjëra të ndaluara dhe shkelje, dhe që e ekspozon shpirtin e tij ndaj ndëshkimit, përgjegjësisë dhe llogaridhënies, ka mëkatuar kundër vetes. E gjithë kjo mund të nënkuptohet nën “dhulmun-nefsi – padrejtësi ndaj vetes”, dhe shkelje të shenjtërisë së muajve të shenjtë. Allahu, xh.xh., thotë: “Mos mëkatoni në to” (Et-Tewbe, 36), d.m.th., “mos i bëni padrejtësi vetes”. Respektoni shenjtërinë dhe madhështinë e muajve të shenjtë, kini frikë Allahun dhe kini kujdes nga padrejtësia, nxitoni të pendoheni pas mëkatit, përpiquni të fshini veprat e këqija me vepra të mira dhe bëhuni si ata për të cilët Allahu tha: “… dhe për ata që, kur bëjnë një mëkat ose kur mëkatojnë kundër vetes, e kujtojnë Allahun dhe kërkojnë falje për mëkatet e tyre – e kush do t’i falë mëkatet nëse jo Allahu? – dhe që nuk vazhdojnë me vetëdije në mëkat. Shpërblimi i tyre pret – falje nga Zoti i tyre dhe kopshte të parajsës nëpër të cilat rrjedhin lumenj, në të cilët do të qëndrojnë përgjithmonë, dhe çfarë shpërblimesh të mrekullueshme për ata që do të veprojnë në këtë mënyrë!” (Ali Imran)
Respektimi i muajve të shenjtë është një akt i devotshëm dhe nënshtrim ndaj Allahut, dhe shkelja e shenjtërisë së tyre është një mëkat i shëmtuar dhe sjellje e keqe. Allahu xh.xh. thotë: “Dhe kushdo që respekton gjërat e shenjta të Allahut, ai do të gëzojë mëshirën e Zotit të tij.” (El-Haxh, 30)
Kryerja e veprave të mira në kohë të caktuara ka një efekt pozitiv në shpirt, e pastron dhe e përmirëson atë, dhe kryerja e mëkateve në ato kohë është më e rrezikshme dhe e dëmshme për shpirtin sesa mëkatet e kryera jashtë atyre kohërave. O besimtar disa kohë ndikojnë në vlerën e veprave të mira dhe në rritjen e mëkateve. Mëkati i kryer në ato kohë është më i madh dhe dënimi për të është më i madh, dhe vepra e mirë është më e vlefshme dhe shpërblimi për të është më i madh. E gjithë kjo që shenjtëria dhe paprekshmëria e kohës dhe vendit është më e madhe, shpërblimi për veprën e mirë dhe dënimi për mëkatin e kryer në to janë më të mëdha. Disa juristë islamë përcaktuan dënim më të ashpër për vrasjen që ndodhi gjatë muajve të shenjtë, dhe lanë mundësinë e dënimit gjyqësor për ata që shkelin shenjtërinë e tyre. Arabët ndiqnin ligjin fetar të Ibrahimit a.s. në respektimin e muajve të shenjtë, madje ndodhte që një burrë të takonte vrasësin e babait të tij dhe të mos e dëmtonte. Allahu, xh.xh., e konfirmoi në Ku’ran shenjtërinë dhe madhështinë e këtyre muajve: “Të pyesin për muajin e shenjtë, për luftën në të. Thuaj: ‘Lufta në të është mëkat i madh; por mosbesimi në Zotin dhe largimi nga rruga e Tij dhe vendet e ndershme dhe dëbimi i banorëve të tij prej tyre është mëkat edhe më i madh para Zotit.” (El-Bekare, 217)
O besimtarë, mësojini shpirtrat tuaj me nënshtrimin ndaj Allahut dhe ndihmojini veten gjatë rrugës me pendim të sinqertë, duke kërkuar falje, përulësi, përkushtim dhe vetëdije për mbikëqyrjen e Allahut, fshehurazi dhe publikisht, ditë e natë. Allahu xh.xh.thotë: “Mos mëkatoni publikisht ose fshehurazi! Ata që mëkatojnë me siguri do të ndëshkohen për atë që kanë mëkatuar.” (El-En’am, 120)
O besimtarë, Allahu nuk ju krijoi pa qëllim dhe synim, dhe Ai nuk do t’ju lërë në duart tuaja. Ai ka caktuar vdekjen dhe jetën për të provuar se cili prej jush do të bëjë më mirë. Dynjaja është një fushë sprovash dhe arene luftimesh, dhe bota e përtejme është shtëpia e përjetësisë. I Plotfuqishmi thotë: “Kush bën mirë, e bën për dobi të vet, dhe kush bën keq, e bën në dëm të vet.” (Fussilet, 46)
Shpërblimi dhe ndëshkimi janë në përputhje me veprën. I zgjuar është ai që e kontrollon dhe e llogarit shpirtin e tij, dhe punon për jetën pas vdekjes, dhe i dobët është ai që plotëson dëshirat e shpirtit dhe shpresat nga Allahu. O muslimanë, Allahu nuk ju krijoi për asgjë tjetër përveç bindjes ndaj Tij. Përpiquni ta adhuroni Vetëm Atë, do të fitoni favorin dhe kënaqësinë e Tij dhe do të hyni në kopshtet e Tij. Shfrytëzoni rastin e kohërave të zgjedhura, qëndroni larg gjërave të ndaluara dhe përgatituni për takimin me Allahun xh.xh. Më të mirët prej jush janë ata që jetojnë gjatë dhe bëjnë vepra të mira. Zemra të dashura, jepini hua Allahut dhe përgatituni për veten tuaj atë që do t’ju sjellë dobi. I Plotfuqishmi thotë: “Dhe të mirën që e siguroni për veten tuaj paraprakisht, do ta gjeni tek Allahu edhe më të madhe dhe do të merrni një shpërblim edhe më të madh.” (El-Muzzemmil, 20)
O besimtarë, respektimi i paprekshmërisë së muajve të shenjtë dhe shfrytëzimi i kohërave të zgjedhura zhvillon tek njeriu vetëdijen për mbikëqyrjen e Allahut dhe e bën atë të rinovojë besëlidhjen e tij me Allahun, duke vënë në rishqyrtim, duke llogaritur dhe duke kontrolluar shpirtin e tij. Mundohuni ta shfrytëzoni këtë kohë dhe të nxitoni para se të mbarojë. Rinovoni besëlidhjen tuaj me Allahun dhe kini kujdes nga zvarritja – vonesa sepse është humbje dhe shkatërrim. Shfrytëzoni jetën para vdekjes, kohën e lirë para angazhimit, pasurinë para varfërisë, rininë para pleqërisë, shëndetin para sëmundjes. Ibn Abbasi, r.a., tregon se Pejgamberi a.s., i tha një burri, duke e këshilluar: “Shfrytëzoni pesë para pesë të tjerave: rininë para pleqërisë, shëndetin para sëmundjes, pasurinë para varfërisë, kohën e lirë para angazhimit dhe jetën para vdekjes.” (Hakim)
Njeriu i mençur nuk është i kënaqur që jeta e tij thjesht të kalon dhe që momentet e tij të çmuara të shkojnë dëm dhe që ai nuk i përdor ato as për këtë botë as për botën tjetër. Koha e lirë është një dhurate nëse përdoret në mënyrën e duhur dhe ndëshkim nëse përdoret në mënyrën e gabuar. Ibn Abbasi, r.a., transmeton se Pejgamberi a.s.,ka thënë: “Shumë njerëz mashtrohen nga dy bekime: shëndeti dhe koha e lirë.” (Buhariu)
O besimtarë, muajt e shenjtë dallohen mbi muajt e tjerë, dhe për këtë arsye është e përshtatshme që viti të fillojë dhe të mbarojë me to dhe që muaji i shenjtë të jetë në mes të vitit, me faktin se të gjithë muajt, megjithëse ndryshojnë në vlerë dhe funksione, janë mundësi për ibdet – adhurim. E gjithë jeta është një mundësi për vepra të mira dhe bindje ndaj Allahut, dhe çdo njeri zgjohet dhe e shet shpirtin e tij, pastaj e liron atë ose e shkatërron, dhe secilit i lehtësohet ajo për të cilën është krijuar. O besimtarë, treguesi i respektit për muajt e shenjtë është ruajtja nga mëkati, përmbajtja nga veprimet dhe bidatet – risitë e dyshimta që Allahu nuk i ka përcaktuar dhe që nuk bazohen në dije. Pejgamberi a.s., ka thënë: “Kushdo që fut në këtë fe tonën atë që nuk është prej saj, ajo refuzohet.” Ai na ka lënë në një rrugë të qartë, nata e së cilës është po aq e qartë sa dita, dhe nga e cila askush nuk do të devijojë përveç atij që dëshiron shkatërrimin e vet.
Irbad ibn Sarija, r.a., tha: “Pejgamberi a.s., na doli imam në namazin e sabahut, pastaj u kthye nga ne dhe mbajti një fjalim aq prekës sa zemrat na u drodhën dhe sytë na lotuan, kështu që thamë: ‘O i Dërguar i Zotit, ky është si një fjalim lamtumirës, prandaj na jep një këshillë. Pejgamberi a.s. tha: “Ju porosisë qe te keni frikë Allahun xh.xh., të jeni te nënshtruar dhe të bindur ndaj udhëheqësve tuaj, sepse me të vërtetë ata prej jush që jetojnë do të shohin shumë divergjenca – dallime, përçarje, prandaj përmbajuni sunetit tim dhe sunetit të kalifëve të zgjedhur pas meje, përmbajuni atij fort dhe qëndroni larg bidateve në besim, sepse me të vërtetë çdo bidat-risi është në humbje, e çdo humbje është në zjarr.” (Ahmedi dhe Hakimi)
Allahu na mundësoftë qe ta ndjekim rrugën e Allahut dhe ta ruhemi nga bidatet – risitë ne fe – besim Amin.
Hatib: dr. Abdullah ibn Abdurrahman el-Buajjan
Pershtati:Esat ef. Rexha








