VoA: Afro 3000 amerikanë kanë dalë vullnetarë për të luftuar në Ukrainë

Afro 3000 amerikanë i janë përgjigjur thirrjeve të Ukrainës për vullnetarë të huaj që të luftojnë në Ukrainë kundër pushtimit të Rusisë.

Këtë e ka bërë të ditur një përfaqësues i Ambasadës së Ukrainës në Washington për Zërin e Amerikës.

Shtetet e Perëndimit nuk janë duke dërguar trupa për të luftuar në Ukrainë, por kanë ndihmuar Ukrainën me armatim.

Shtetet perëndimore kanë vendosur sanksione të ashpra ndaj Rusisë dhe oligarkëve rusë.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, dhe zyrtarë tjerë ukrainas kanë bërë thirrje për formim të Legjionit të të Huajve, të përbërë nga vullnetarë të huajë që duan të luftojnë në Ukrainë.

Para disa ditëve, Zelensky tha se afro 16 mijë të huaj janë paraqitur vullnetar për ta ndihmuar Ukrainën.

Një nga ata vullnetarë që ka shprehur gatishmërinë të luftojë në Ukrainë është Matthew Parker, një veteran amerikan me 22 vjet shërbim në Ushtrinë Amerikane.

Ai ka treguar për Zërin e Amerikës se me të dëgjuar se Ukraina po pushtohej nga forcat ruse, ka menduar për një ushtar ukrainas-amerikan, që kishte shërbyer përkrah tij në Irak.

“Unë kisha një ushtar në Irak që ishte lindur në Ukrainë. Ai kishte shtetësinë amerikane dhe iu bashkua Ushtrisë, dhe më tregoi për vendlindjen e tij. Më tregoi për familjen e tij dhe se sa krenar ata janë. E mbaj në mend kur më tregonte për motrën e tij të vogël. Tash, më pëlqen të mendoj se duke shkuar në Ukrainë, ndoshta mbroj nënën e tij, apo motrën e tij të vogël apo shtëpinë e tij. Ndoshta në një mënyrë i them atij faleminderit”, ka thënë Parker.