Von der Leyen në Kiev për bisedime mbi aplikimin e Ukrainës në BE

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen ka mbërritur në Kiev për të diskutuar kërkesën e Ukrainës për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Ajo planifikon të diskutojë aspektet e pazgjidhura të ofertës së Ukrainës me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky.

Komisioni Evropian pritet të publikojë vlerësimin e tij nëse Ukrainës duhet t’i jepet statusi i kandidatit për në BE, të premten e ardhshme.

“Ne do të peshojmë përpjekjet e përbashkëta të nevojshme për rindërtimin dhe përparimin e Ukrainës në rrugën e saj evropiane”, tha Von der Leyen pas mbërritjes në Kiev.

”Kjo do të kontribuojë në vlerësimin tonë, të cilin do ta prezantojmë së shpejti”, theksoi ajo.

Kjo është hera e dytë që von der Leyen viziton Ukrainën që nga fillimi i luftës në shkurt.

Në prill, ajo vizitoi periferinë e Kievit, Bucha, ku u gjetën qindra trupa civilë pas tërheqjes së trupave ruse, duke shkaktuar zemërim në mbarë botën.

Ukraina paraqiti një ofertë për anëtarësim në BE në mars, menjëherë pasi Rusia nisi pushtimin e saj më 24 shkurt.

Shtetet e BE-së më pas udhëzuan ekzekutivin të bënte një rekomandim. /atsh