Von der Leyen sugjeron përdorimin e pasurive të ngrira të Rusisë për rindërtimin e Ukrainës

Gjatë fjalës së rastit në Forumin Ekonomik Botëror (WEF), organizuar në Davos të Zvicrës, Ursula von der Leyen tha se BE-ja “nuk duhet të lërë gur pa lëvizur” për rindërtimin e Ukrainës, “përfshi këtu – nëse është e mundur – edhe asetet ruse që ka ngrirë Unioni”.

Sipas presidentes së Komisionit Evropian, “Rusia po trajton miliona njerëz jo si qenie njerëzore, por si popullsi pa identitet për t’u zhvendosur, kontrolluar ose vendosur si një tampon ndërmjet forcave ushtarake, në përpjekje për të shkelur me tanke aspiratat e një kombi të tërë”.

“Ky agresion duhet të jetë një dështim strategjik”, tha ajo duke theksuar se “Ukraina duhet ta fitojë këtë luftë”.

Von der Leyen premtoi se BE-ja dhe partnerët ndërkombëtarë “do ta ndihmojnë Ukrainën dorë për dore të ngrihet nga hiri i saj”, edhe nëse kjo do të kërkonte “punë kolosale”.

Ajo e akuzoi Rusinë gjithashtu për përdorimin e furnizimeve me energji dhe sigurisë ushqimore si armë globale.

Duke bërë një krahasim midis vendimeve të liderit sovjetik, Josif Stalin, për të vrarë ukrainasit në vitet 1930, Von der Leyen u shpreh me këto fjalë: “Sot ushtria e Kremlinit po konfiskon rezervat e grurit dhe makineritë, ndërkohë që artileria ruse po bombardon depot e drithit në të gjithë Ukrainën. Presidenti Vladimir Putin po e përdor urinë dhe grurin për të ushtruar pushtetin.”

Programi Botëror i Ushqimit, ndër agjencitë më të rëndësishme të Kombeve të Bashkuara, bën me dije se 276 milionë njerëz vuanin nga uria akute në fillim të vitit 2022 dhe nëse lufta në Ukrainë vazhdon, ky numër mund të rritet me 47 milionë të tjerë.

Më tej, Von der Leyen kërkoi një përgjigje ndërkombëtare duke thënë se “bashkëpunimi global është antidoti i shantazhit të Rusisë”.

Sipas saj, pas propozimit të Komisionit Evropian, BE-ja do të krijojë një platformë donacionesh ndërkombëtare, të menaxhuara bashkërisht nga organi ekzekutiv i BE-së dhe Ukraina, që do të kombinojë reformën dhe investimet.

BE-ja ka ndarë 2 miliardë euro (2,14 miliardë dollarë) ndihmë ushtarake për Ukrainën dhe ka mobilizuar më shumë se 4 miliardë euro ndihmë makrofinanciare, ndihmë humanitare dhe mbështetje për vendet e BE-së që strehojnë refugjatë nga Ukraina prej fillimit të luftës më 24 shkurt.

Unioni gjithashtu ka miratuar 5 paketa sanksionesh kundër Rusisë duke synuar individë, përfshi këtu edhe Presidentin Vladimir Putin e ministrin rus të Punëve të Jashtme, Sergey Lavrov, duke ndaluar eksportin e mallrave luksoze dhe importet e qymyrit, si dhe duke përjashtuar bankat ruse e bjelloruse nga përdorimi i sistemit të pagesës ndërkombëtare SWIFT.

Von der Leyen njoftoi javën e kaluar një paketë shtesë të ndihmës makrofinanciare prej 9 miliardë eurosh për Ukrainën, e cila pritet të miratohet nga liderët e BE-së në samitin e javës së ardhshme. /trt