Ballina Lajmet Rajon dhe Botë “Vrasësi” i dy fëmijëve para gjykatës: ç’dënim e pret?

“Vrasësi” i dy fëmijëve para gjykatës: ç’dënim e pret?

Nikoll Radaçi

Shpjegimi me shenja pasinqeriteti mbi shkaqet e hipjes mbi trotuar

Nikoll Radaçi, 57 vjeç, njeriu që u morri jetën dy fëmijëve në Durrës duke hipur me makinë mbi trotuar, doli para gjykatës për masën e arrestit, duke u lënë sigurisht në burg nga trupa gykuese.

Ai ka rrëfyer se rreth orës 14:00 ishte nisur nga banesa për të marrë një vegël pune dhe gjatë lëvizjes në një rrugë lagjeje, sipas tij një automjet i ka prerë rrugën. Për të shmangur përplasjen, ai ka devijuar dhe ka përfunduar mbi trotuar, ku për fatin e keq ndodheshin tre fëmijët e mitur.

“Rreth orës 14:00 dola nga shtëpia bashkë me mjetin dhe do shkoja të merrja një vegël pune te një shoku im. Unë po drejtoja automjetin në korsinë e djathtë dhe papritur në një rrugicë lagjeje doli një automjet.

Unë devijova për të shmangur këtë automjet dhe kam përfunduar sipër trotuarit të anës së majtë të rrugës. Pasi hipa në trotuar jam përfshirë në aksident me disa fëmijë që ndodheshin dhe kam shkuar disa metra më përpara.

Unë dola nga makina dhe kam shkuar tek një dyqan aty pranë ku punonjësve të dyqanit ju kam thënë të njoftojnë policinë pasi kam bërë aksident. Unë kam qëndruar tek dyqani deri sa erdhi policia dhe më mori për në komisariat”, mësohet të jetë shprehur 57-vjeçari, teksa më tej ka treguar se para ngjarjes nuk kishte konsumuar alkool dhe e vetmja që kishte pirë ishte një birrë në mëngjes.

Por duket se nuk ka qenë kaq i sinqertë, sidomos te prerja e rrugës.

Pyetje: Ju pretendoni që automjeti ju ka ndërprerë rrugën, a ju kujtohet ndonjë detaj në lidhje me këtë mjet?

Përgjigje: Për momentin nuk më kujtohet asnjë detaj.

Pyetje: Me çfarë shpejtësie keni qenë në momentin e aksidentit?

Përgjigje: Unë kam qenë me rreth 30 km/h.

Pyetje: Në zbatim të procedurës standarde ju është bërë testi i alkoolit, i cili ka rezultuar në masën 0.73 mg/l testi i parë dhe 0.70 mg/l testi i dytë. A keni konsumuar alkool përpara se të drejtonit automjetin?

Përgjigje: Përpara se të drejtoja automjetin unë kam pirë një birrë në mëngjes.

Pyetje: A keni gjë tjetër për të shtuar?

Përgjigje: Gjë tjetër nuk kam për të shtuar…

Nga ana tjetër, avokatja e caktuar nga shtet e cila mbrojti Nikoll Radaçin, Arta Gecaj, tha para medias se si ishte në gjendje të rënduar psikologjike në sallën e gjyqit. Pas caktimit të masës së sigurisë, ajo tha se ndaj tij rëndojnë tri akuza: ajo aksidentit me pasojë vdekje ose plagosje të rëndë, largim nga vendi i ngjarjes dhe përdorim alkooli në kohën që drejton mjetin.

Sipas saj, për akuzën e shkeljes së rregullave  të qarkullimit me pasojë vdekje ose plagosje të rëndë parashikohet dënimi me burg nga 5-20 vite.

“Masë e sigurimit arrest me burg. Masë e cila pritej. Nga prokuroria ka ardhur me tre akuza. I pandehuri nuk foli fare, dukej në gjendje të rnëduar psikologjike nuk dha shpjegim para gjykatës  unë isha e ftuar nga shteti për mbrojtje duke qenë se nuk kishte avokat të zgjedhur.

 Shkelja e rregullave të qarkullimit me pasojë vdekje ose plagosje të rëndë nga 5-20 vite parashikohet dënimi me burg, drejtimi i mjeteve në gjendje të parregullt ku konkludon me pirjen e alkoolit dhe largimi nga vendi i aksidentit. Ka shprehur pendesë ndjehet i penduar edhe sot dukej në gjendje të rënduar psikologjike”, deklaroi ajo. /tesheshi.com/