Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi se vendi i tij do t’i vazhdojë politikat në mbështetje të integritetit territorial të Ukrainës, raporton Anadolu.
Vuçiq priti me ceremoni zyrtare presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, i cili po zhvillon vizitën e tij të parë në Serbi, në Pallatin e Serbisë në kryeqytetin Beograd.
Në një konferencë të përbashkët për media pas takimit, Vuçiq tha se kanë diskutuar një sërë çështjesh, përfshirë forcimin e marrëdhënieve dypalëshe.
Vuçiq theksoi se vendi i tij mbështet integritetin territorial të të gjitha vendeve anëtare të Kombeve të Bashkuara (OKB), duke thënë: “Kjo përfshin edhe integritetin territorial të Ukrainës. Do ta vazhdojmë politikën tonë në përputhje me këtë parim. Për këtë nuk ka asnjë hamendje”.
Duke bërë të ditur se kanë diskutuar gjithashtu proceset e anëtarësimit të Ukrainës dhe Serbisë në Bashkimin Evropian (BE), Vuçiq tha: “Serbia do ta mbështesë gjithmonë plotësisht rrugëtimin e Ukrainës drejt BE-së”.
Vuçiq tha se e kuptojnë dëshirën e Ukrainës për ta përfunduar me shpejtësi procesin e anëtarësimit në BE, ndërsa vlerësoi se për Serbinë, për arsye të ndryshme politike, anëtarësimi në BE “nuk është i mundur” në të ardhmen e afërt.
Ndërkohë, Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Menaxhimit të Ujërave e Serbisë dhe Shërbimi Shtetëror i Ukrainës për Sigurinë Ushqimore dhe Mbrojtjen e Konsumatorit nënshkruan një protokoll bashkëpunimi në fushën e shëndetit të kafshëve dhe sigurisë ushqimore.







