VV kërkon mobilizim gjithëpopullor kundër Thaçit (Video)

Draft statuti për asociacionin e komunave serbe po e konsiderojnë si jo kushtetues.

Kjo pasi sipas Lëvizjes Vetëvendosje, personat që e kanë draftuar atë marrin direktiva nga Beogradi.

Madje deputetja e kësaj partie, Albulena Haxhiu po kërkon mobilizim gjithë popullor për ta ndalur presidentin Hashim Thaçi dhe, siç i quan ajo, veprimet e dëmshme që po i vijnë vendit nga ai.

Haxhiu u shpreh se takimin e paralajmëruar për shtator nuk e pranojnë pasi që, sipas saj, Thaçi nuk ka kredibilitet të flas për ndryshimin e kufijve me Serbinë.
Madje ajo po thotë se edhe pse Kuvendi i Kosovës është në pushim, deputetët e Vetëvendosjes janë duke u përgatitur në terren për ta ndalur me protesta e forma të tjera presidentin Thaçi.

Ndërsa, deputetja tjetër nga kjo parti, Arbërie Nagavci ka kërkuar nga institucionet e vendit që të kenë kujdes me presidentin e vendit, Hashim Thaçi që mos të veprojë njësoj me shqiptarët e Luginës së Preshevës, sikurse veproi në rastin e lapidarit për të rënët e UÇPMB-së.

Ajo tutje shtoi se Kosova më shumë se çdo herë ka nevojë për një president të ri i cili nuk iu frikësohet gjykatave.

E pyetur se a do i përgjigjen pozitivisht kërkesës së PSD-së që Kuvendi ta ndërpresë pushimin , Albulena Haxhiu tha se nuk e pranojnë rezolutën e propozuar nga PSD pasi e konsiderojnë biletë të Thaçit për Bruksel

Për më shumë ndiqeni videon në vazhdim: