West Coast Customs e tejkaloi Mansory radikal me versionin e Lamborghini Urus

Që nga shfaqja e Lamborghini Urus në treg në vitin 2018, shumë kompani tuningu kanë punuar për ta modifikuar këtë super SUV, dhe tani versionin e vet e ka paraqitur edhe legjendarja West Coast Customs.

Intensiteti i modifikimeve që i janë bërë Urusit tashmë agresiv që nga fabrika, ka lëvizur nga “transformimi me shije” i Carlex-it, deri te krijimet “të çmendura” të Mansory-t, por duket se West Coast Customs e ka kaluar çdo kufi me projektin e vet të krijuar për xhirimin e një videoklipi muzikor.

Është e vërtetë që West Coast Customs njihet për modifikimet ekstreme – gjë që është treguar edhe në emisionin televiziv “Pimp My Ride” që transmetohej në MTV – por asgjë nuk na kishte përgatitur për të ashtuquajturin “Deconstructed Urus”.

SUV-i i Lamborghinit është porositur nga reperi Jeffrey Lamar Williams II, i njohur si Young Thug, dhe do të përdoret për xhirimet e videoklipit të këngës së tij “Money on Money”.

Williams është gjithashtu i njohur për stilin e tij jokonvencional dhe ndikimin që ka në muzikën hip-hop dhe trap, duke përfshirë edhe zgjedhjet e tij të veshjes që sfidojnë stereotipet e zhanrit.

Sa u përket modifikimeve, që në shikim të parë vihet re mungesa e dyerve, të cilat janë zëvendësuar me shufra metalike për të krijuar ndjesinë e një buggy-je. Megjithatë, dyert nuk janë hedhur poshtë – ato janë përdorur për të krijuar diçka të ngjashme me krahë në pjesën e pasme të automjetit, që tani shërbejnë si sistem altoparlantësh.

Nuk dihet nëse këto ndryshime kanë ndikuar në hapësirën për pasagjerët në rreshtin e dytë, por një gjë është e sigurt – për bagazhin Gucci nuk ka më vend.

Tema e “çmontimit” vazhdon edhe me një prerje në kofano, që zbulon motorin 4.0 litra twin-turbo V8. Në të katër cepat ndodhen zgjerime metalike të mbrojtëseve të rrotave, të cilat duken paksa “kitsch”. Në listën e modifikimeve përfshihen edhe katër gypa shkarkimi me stil bōsōzoku, pasqyrat anësore janë hequr dhe logot janë zëvendësuar me simbolin e Young Thug-ut.

Nuk është bërë e ditur se sa ka kushtuar kjo krijesë.