1.
Trashëgimia kulturore materiale është një nga dëshmitë më autentike të historisë së një populli. Përmes monumenteve, ndërtesave dhe veprave të krijuara ndër shekuj, një shoqëri ruan kujtesën e saj historike, pasqyron zhvillimin e qytetërimit dhe ndërton urën lidhëse ndërmjet së kaluarës, së tashmes dhe së ardhmes. Për këtë arsye, vlerësimi i trashëgimisë kulturore nuk duhet të mbështetet mbi paragjykime ideologjike, politike apo fetare, por mbi kritere shkencore, historike dhe kulturore, të cilat e trajtojnë atë si pjesë të pandashme të identitetit të një vendi.
Kosova është një hapësirë ku janë ndërthurur qytetërime, kultura dhe tradita të ndryshme, të cilat së bashku përbëjnë mozaikun e trashëgimisë së saj kulturore. Brenda këtij mozaiku, trashëgimia islame përfaqëson një shtresë të rëndësishme historike, e krijuar përgjatë më shumë se pesë shekujve, gjatë të cilëve u ndërtuan qindra objekte fetare, arsimore, publike dhe sociale, të cilat ndikuan drejtpërdrejt në zhvillimin urban, kulturor dhe shpirtëror të vendit.
Ndër monumentet më përfaqësuese të kësaj trashëgimie janë xhamitë. Ato përveçse vend adhurimi dhe ibadeti, janë edhe monumente të arkitekturës, të artit, të historisë dhe të kujtesës kolektive. Në to ndërthuren mjeshtëria ndërtimore, estetika artistike, tradita e vakëfit, zhvillimi urban dhe historia e institucioneve arsimore e kulturore që u krijuan pranë tyre. Për këtë arsye, xhamitë përbëjnë një pjesë të pakontestueshme të trashëgimisë kulturore të Kosovës dhe të qytetërimit shqiptar.
Një pjesë e konsiderueshme e xhamive në hapësirën shqiptare, përfshirë edhe Kosovën, janë ndërtuar nga vakëflënës, fisnikë dhe bamirës shqiptarë. Ky fakt ua shton vlerën historike dhe identitare, pasi ato dëshmojnë jo vetëm për përkushtimin fetar të ndërtuesve të tyre, por edhe për traditën shqiptare të vakëfit dhe filantropisë. Arkitektura e tyre pasqyron një nivel të lartë mjeshtërie ndërtimore, ndjeshmëri estetike dhe ndërthurje të elementeve artistike vendore me traditën islame, duke krijuar monumente me vlera të veçanta kulturore.
Përtej funksionit të tyre si objekte kulti, xhamitë përfaqësojnë qendra të rëndësishme të jetës qytetare. Ato dëshmojnë për zhvillimin urban, arsimin, kulturën, jetën ekonomike dhe organizimin shoqëror të qyteteve shqiptare gjatë shekujve. Përmes tyre mund të lexohet historia e një shoqërie që investoi në institucione të qëndrueshme në shërbim të fesë, dijes dhe komunitetit, duke i bërë xhamitë pjesë të pandashme të trashëgimisë kulturore shqiptare.
2.
Megjithatë, për arsye që lidhen me zhvillimet politike dhe ideologjike të shekullit XX, si edhe me ndikimin e interpretimeve të caktuara historiografike, kjo shtresë e trashëgimisë sonë kulturore nuk është trajtuar gjithmonë me objektivitetin dhe vëmendjen që meriton. Për një kohë të gjatë, veçanërisht nën ndikimin e narrativave të historiografisë serbe, monumentet e trashëgimisë islame janë paraqitur si elemente të huaja, si trashëgimi e imponuar ose si dëshmi të një periudhe që nuk konsiderohej pjesë organike e historisë së Kosovës. Një interpretim i tillë, i mbështetur më shumë në premisa ideologjike sesa në argumente shkencore, ndikoi në margjinalizimin e kësaj trashëgimie në studimet historike, në politikat institucionale të mbrojtjes dhe në vetë perceptimin shoqëror.
Pasojat e kësaj qasjeje nuk mbetën vetëm në planin teorik. Gjatë periudhës së regjimit komunist në ish-Jugosllavi, një numër i konsiderueshëm i xhamive dhe objekteve të tjera të trashëgimisë islame u dëmtuan, u rrënuan ose u shkatërruan plotësisht, shpesh nën arsyetimin e modernizimit urban ose të politikave shtetërore që nuk e konsideronin këtë trashëgimi si pjesë të rëndësishme të identitetit kulturor të vendit. Humbja e këtyre monumenteve nuk ishte vetëm humbje për besimtarët myslimanë, por një varfërim i parikuperueshëm i trashëgimisë kulturore të Kosovës.
Edhe monumentet që i mbijetuan kohës nuk u trajtuan gjithmonë në përputhje me rëndësinë e tyre historike, arkitekturore dhe artistike. Për dekada me radhë mungoi dokumentimi sistematik, studimi i mirëfilltë shkencor, restaurimi profesional dhe promovimi institucional. Si rrjedhojë, një pjesë e rëndësishme e kujtesës sonë historike mbeti në hije, ndërsa potenciali i saj kulturor, shkencor dhe turistik nuk u shfrytëzua në masën që meritonte.
Kjo trashëgimi u godit rëndë edhe gjatë luftës së fundit në Kosovë. Në kuadër të politikës së spastrimit etnik dhe shkatërrimit të identitetit kulturor shqiptar, forcat serbe ndërmorën një fushatë të organizuar kundër objekteve të kultit islam. Shkatërrimi i xhamive nuk ishte pasojë anësore e luftës, por pjesë e një strategjie të planifikuar për të fshirë gjurmët historike dhe kulturore të shqiptarëve në këto troje. Fakti se gjatë viteve 1998–1999, në forma të ndryshme, u sulmuan, u dëmtuan ose u shkatërruan 218 xhami, dëshmon qartë se këto monumente konsideroheshin bartëse të identitetit historik, kulturor dhe shpirtëror të popullit shqiptar.
3.
Fatkeqësisht, edhe pas luftës, nuk munguan zëra në qarqe të caktuara akademike e intelektuale, të formuara nën ndikimin e historiografisë dhe ideologjisë së periudhës moniste, të cilët vazhduan ta shihnin trashëgiminë islame si një shtresë të huaj të historisë sonë. Një qasje e tillë nuk qëndron përballë fakteve historike. Xhamitë e Kosovës janë ndërtuar, financuar, mirëmbajtur dhe ruajtur kryesisht nga shqiptarët dhe janë pjesë përbërëse e historisë sonë kombëtare. Mohimi ose relativizimi i tyre nënkupton mohimin e një pjese të rëndësishme të identitetit historik e kulturor të vetë Kosovës.
Në këtë drejtim, meriton të përshëndetet nisma e viteve të fundit e Ministrisë së Kulturës, e cila ka investuar në restaurimin dhe konservimin e një numri xhamish me vlera të veçanta monumentale. Kjo shënon një hap të rëndësishëm drejt një qasjeje më gjithëpërfshirëse në mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe përbën, ndoshta për herë të parë, një angazhim institucional më serioz për ruajtjen e monumenteve të trashëgimisë islame si pjesë integrale e trashëgimisë kulturore të Kosovës.
Sot, kur koncepti bashkëkohor i trashëgimisë kulturore mbështetet në parimet e gjithëpërfshirjes, autenticitetit dhe respektimit të të gjitha shtresave historike, bëhet edhe më e domosdoshme rivlerësimi i trashëgimisë islame të Kosovës. Xhamitë nuk duhet të shihen vetëm si objekte të funksionit fetar, por si dokumente historike, monumente të kulturës materiale dhe pjesë e pandashme e identitetit kulturor të Kosovës. Ato dëshmojnë për zhvillimin urban të qyteteve tona, për traditën e vakëfit, për nivelin e lartë të mjeshtërisë ndërtimore, për jetën arsimore dhe për organizimin shoqëror të një periudhe shumë shekullore.
4.
Synimi nuk është vetëm evidentimi i vlerave arkitekturore të xhamive të Kosovës, por edhe nxitja e një reflektimi më të thellë mbi vendin që ato zënë në historinë dhe kulturën tonë. Besojmë se njohja shkencore, dokumentimi sistematik, restaurimi profesional dhe promovimi i tyre janë jo vetëm detyrim institucional, por edhe përgjegjësi kombëtare. Vetëm në këtë mënyrë mund të korrigjohen padrejtësitë interpretative të së kaluarës dhe këtyre monumenteve t’u jepet vendi që u takon në historinë, kulturën dhe kujtesën kolektive të Kosovës.
Në këtë kontekst duhet parë edhe ekspozita “Kujtesa në fotografi – Xhamitë e shkatërruara në Bosnjë e Hercegovinë dhe Kosovë gjatë viteve ’90: sakralocid i planifikuar”, e organizuar më 18 dhjetor 2025 në Prishtinë. Përmes saj u synua të dokumentohej dhe të bëhej e dukshme një pjesë e rëndësishme e trashëgimisë sonë kulturore dhe fetare, e cila u shkatërrua në mënyrë të qëllimshme nga fqinjët tanë gjatë luftërave të viteve ’90. Shkatërrimi i xhamive nuk ishte thjesht një akt vandalizmi ndaj objekteve islame, por pjesë e një strategjie për goditjen e kujtesës historike, të identitetit kulturor dhe të trashëgimisë qytetëruese të popujve autoktonë të rajonit. Pikërisht për këtë arsye, dokumentimi dhe studimi i këtyre monumenteve nuk përfaqëson vetëm një interes akademik, por është edhe një dëshmi e ruajtjes së kujtesës historike dhe të së vërtetës shkencore.
Në vazhdën e këtij misioni, ky numër i revistës “Edukata islame”, në rubrikën e përhershme të saj “Tema e numrit”, boton kumtesat e paraqitura në hapjen e kësaj ekspozite. Synimi është që, përmes studimeve të specializuara, të kontribuohet në dokumentimin, rivlerësimin dhe afirmimin shkencor të xhamive si pjesë e pandashme e trashëgimisë kulturore të Kosovës dhe si dëshmi e rëndësishme e identitetit historik, shpirtëror dhe qytetërues të popullit shqiptar. Vetëm përmes kërkimit shkencor, mbrojtjes institucionale dhe ndërgjegjësimit shoqëror mund të sigurohet që kjo trashëgimi të ruhet, të vlerësohet dhe t’u transmetohet brezave të ardhshëm si pjesë e memories dhe tapi e identitetit tonë të përgjithshëm.
Ramadan Shkodra








