Xherdan Shaqiri paralajmëron largimin nga Baseli dhe nuk përjashton kalimin te klubi ku ka blerë aksione

E ardhmja e Xherdan Shaqirit mund të jetë larg Baselit, me yllin më të madh kosovaro-zviceran që nuk e përjashton mundësinë të luajë për Rapperswil Jona, klubin ku tashmë zotëron një pjesë të aksioneve.

Gjatë një interviste të gjatë për “Blick”, Shaqiri ka folur për përfshirjen e tij në klubin zviceran Rapperswil, i cili garon në kategorinë e dytë të futbollit zviceran.

“Unë nuk jam përfshirë në Rapperswil pa arsye. Kemi plane të mëdha për klubin. Është një hap i mirë për të parë nga afër aspekte të ndryshme të drejtimit të një klubi, por gjithashtu përfshin shumë punë. Mundohem të përcjell çdo ndeshje në shtëpi, kur është e mundur”, ka deklaruar Shaqiri.

Ylli kosovar tha se ende nuk e di nëse do të drejtojë ndonjë klub në të ardhmen, por konfirmoi se po punon për t’u pajisur edhe me licencat e trajnerit. Megjithatë, ai është i sigurt se do të mbetet pjesë e futbollit edhe pasi ta përfundojë karrierën si futbollist.

“Ndoshta do të luaj për Rapperswilin edhe vetë. Kjo qartë është një mundësi. Klubi do të jetë 100-vjeçar në vitin 2028. Tani e dini synimin tim për të ardhmen”, ka thënë Shaqiri duke qeshur.

Shaqiri zbuloi gjithashtu se verën e ardhshme planifikon të udhëtojë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të ndjekur disa nga ndeshjet e Kupës së Botës në futboll, ndoshta edhe finalen.