Zaev dorëzoi postin e kryetarit të partisë tek Kovaçevski

Pasditen e djeshme në selinë e LSDM-së është realizuar pranim-dorëzimi i funksionit kryetar i partisë.

Zoran Zaev ka uruar kryetarin e sapozgjedhur Dimitar Kovaçevski për fitoren në zgjedhjet brendapartiake, shkruan Rtv 21 përcjell Klankosova.tv.

“Kryetar, të uroj fat, mençurinë e ke, ta mbrosh këtë parti të madhe dhe shtetformuese, të kujdesesh për socialdemokracinë, të kujdesesh për unitetin dhe ruajtjen e lirisë dhe demokracisë në vendin tonë, si dhe në parti. Ju uroj një mandat të suksesshëm si kryetar i LSDM-së, zgjedh një udhëheqje të urtë që të gjithë do ta ndjekim. LSDM është shtyllë e shtetësisë”.

Kreu i ri i LSDM-së e falënderoi Zaevin për kontributin në parti por edhe në Qeveri.

“Ju falënderoj edhe për vendimet e mençura që ke marrë për partinë, por edhe për vendin, falë të cilave sot vendi është anëtar i NATO-s dhe jemi në prag të fillimit të negociatave me BE-në. Faleminderit që latë një parti me një trashëgimi që ka potencialin më të madh në kuadro. Dëshiroj t’ju uroj shëndet dhe lumturi në jetën tuaj personale dhe profesionale”.

Dorëheqja e Zoran Zaev nga funksioni i kryetarit të LSDM-së erdhi si pasojë e rezultatit të zgjedhjeve lokale.