Zekeria Cana, ai arkiv i gjallë në trajtë njeriu!

Salih Kabashi

ZEKERIA CANA, ai arkiv i gjallë në trajtë njeriu!
(Përkujtim në 14 vjetorin e vdekjes)
Pas përfundimit të mandatit të tij si udhëheqës i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut, Zekeria Cana kishte mbledhur një pjesë të materialeve të arkivit: dokumente, inçizime audio e video materiale… Të pranishmit po e shikonin me habi.
Azem Shkreli, i tha: Zeqë, ku po i çon, mos i merr! Pse po i merr? Këto duhet të jenë këtu…
Profesori ia ktheu me shumë seriozitet:
«Këto do t’i lija këtu vetëm nën kushtet që këtu të kishte bile një një njeri që do të kujdesej për to. Duke ju njohur mirë se sa dembelë, sa batakçinj e sa të pakujdeshëm që jeni, këto materiale që nesër mund të shërbejnë si dëshmi historike, do t’i ruaj vetë dhe deri atëherë kur në këtë vend do të krijohen kushte që këto të deponohen në vendin më të sigurt – në arkivin që do të quhet Arkivi Shtetëror i Kosovës… »
Dikush në gjestin e asaj kohe të Zekeria Canës do të mund të shihte njëfarësoj arrogance, mosbesimi deri në përbuzje të bashkëpunëtorëve… E vërteta ishte ndryshe. Profesor Cana ishte historian, « më i miri dhe më vyeri që kemi pasur ndonjëherë», më pat thënë për të me një rast Rexhep Qosja. Prandaj një historian si ai, i ngritur dhe i ndritur, domosdo se do t’ua dinte vlerën materialeve të Këshillit, prandaj donte që ato t’i siguronte nga rreziku i humbjes e asgjësimit për shkak të mungesës së syçeltësisë dhe të injorancës.
Zekeria Canën, të cilin deri atëherë e kisha njohur vetëm përmes librave të tij historikë, për herë të parë e kam pas takuar në prill 1989 në Lubjanë, pas themelimit në mars në kryeqytetin slloven të Këshllit për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut, kur gjendeshim në fazën përfundimtare të përgatitjeve për themelimin e Shoqatës Kulturore Shqiptare Migjeni dhe të fillimit të botimit të revistës « Alternativa ».
Pa vonuar shumë, të dytën herë u takuam në Prishtinë në shtator të të njëjtit vit (24-29 shtator 1989), kur unë vet i treti, me një avokate londineze (Louise Christian) dhe me një gjyqtar francez (Antoine Garapon) nga Federata Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut me seli në Paris, kishim shkuar me mision të mbledhjes së fakteve mbi represionin serb dhe mbi brutalitetin e shkeljeve të të drejtave dhe të lirive themelore të njeriut në Kosovë, pas heqjes së dhunshme të autonomisë që asaj ia kishte garantuar Kushtetuta e vitit 1974, e suprimuar në Kuvendin e Krahinës Autonome e Socialiste të Kosovës në mars të ’89-ës nën rrethim tankesh të ushtrisë jugosllave dhe me prani brenda sallës së Kuvendit të milicëve e të udbashëve serbë.
E kisha paralajmëruar përmes telefonit për ardhjen tonë. Atë e gjetëm tek na priste pranë recepcionit të Hotelit Grand. Ulur rreth një tavoline, ai, pa humbur kohë, bashkë me kafet po na jipte këshillat se kë do të duhej ta takonim, cilat institucione të drejtësisë t’i konsultonim dhe cilat vende nëpër Kosovë t’i vizitonim.
Në fund, fshehtas, na e la në dorë një material të shtypur me dëshmi shumë të vlefshme, të cilat ai me pedanteri kronikani e historiani i kishte grumbulluar e sistematizuar.
Të nesërmën u takuam në Institutin Albanologjik (te Rexhep Qosja) dhe në barakat e Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës (te Ibrahim Rugova).
Vizita jonë e shkurtër rezultoi shumë e frytshme. Pas saj, në nëntor, prestigjiozja Le Monde Diplomatique botoi artikullin me mbititullin « Shkelje të rënda të të drejtave të njeriut në Jugosllavi ». Brenda artikullit ishin dëshmitë e shumta mbi sjelljet brutale të policisë serbe ndaj shqiptarëve. Sigurisht se artikulli ndërtohej edhe nga ato që u morën nga deklaratat e Rexhep Qosjas, të Idriz Ajetit, Mark Krasniqit, Ibrahim Rugovës, Masar Stavilecit dhe të Zekeria Canës.
Me profesor Canën për dhjetë vite me radhë kemi qenë të lidhur me një bashkëpunim të ngushtë, i cili pa vonuar u shndrrua në një miqësi shembullore. Ai herëpasherë vinte në Lubjanë dhe ishte nga të rrallët që ardhjet e tij i shndrronte në veprimtari të dobishme për Kosovën, për shqiptarët dhe për të vërtetën e hidhur të tyre nën Jugosllavinë. Ai takonte historianë sllovenë, avokatë, jipte deklarata e intervista që për shkak të kompetencës së tij bënin jehonë.
Janë Parisi, Zagrebi, Praga, Lubjana, Vjena, Kopri, Maribori, Kranji dhe vende të tjera ku në shumicën e rasteve kemi qenë bashkë me qëllim inkurajimin e shqiptarëve sidomos njoftimin e opinionit të huaj mbi gjendjen e padurueshme të shqiptarëve.
Zekeria Cana ishte jashtëzakonisht aktiv, i papritueshëm, i mirëorganizuar, vazhdimisht mbante shënime, bënte fotografi, shfrytëzonte rastin për vizita arkivave…
Kam pas vënë re te ai një virtyt të jashtëzakonshëm në vlerësimin pa xhelozi të atyre që e meritonin vlerësimin dhe mosngurrimin që guximshëm t’i thërriste me emër e mbiemër ata që ishin ndyrë në keqbërjet e tyre.
Si rrallëkush i zgjuar, orator i shquar, komunikativ, i lëvizshëm e trim, Zekeria Cana, në dekadën më dramatike e më vendimtare të historisë së Kosovës ishte thjesht e bukvalisht – i kudondodhuri!
Kam pasur një artikull të atyre viteve kur për ta portretizua e përshkruar sa më besnikërisht syrin e tij të patrembur kisha nxjerrë këtë formulë sintaktike: Aty ku Zekeria Cana fut kokën e tij, të tjerët nuk kanë guximin që ta fusin as gishtin e tyre të vogël të dorës…
Lexuesit e librave të tij ditarë lufte të botuara pasluftës janë dëshmi për këtë. Dëshmi se Zekeria Cana ndoshta do të zhgënjente dikë, por ai nuk mund të mos e bënte këtë për shkak se kishte një besëlidhje me të vërtetën dhe ngarkimobligim me betimin se pa marrë parasysh reagimet e mundshme, ai me çdo kusht dhe pa marrë parasysh pasojat, do të shkruante për ato që i kishin parë sytë e tij.
Unë, e thash më lart, kisha një respekt të jashtëzakonshëm ndaj tij. U bëmë miq. E kam takuar gjatë e pas luftës në Tiranë, Prishtinë, Deçan… Edhe si i moshuar ai shquhej për energjitë e tij pothuajse rinore. E përsëris: E doja e më donte.
Kosova e historiografia shqiptare duhet të presin gjatë një tjetër historian e atdhetar të kalibrit të Zekeria Canës.

SHËNIM: Këtë portret e kam pas bërë në përgjigje lutjes që më 11 janar 2018 ma kishte drejtuar gazetari i ri gjakovar Kastriot Shehdadi, i cili i ishte futur aventurës së përgatitjeve për nxjerrjen e një libri kushtuar bashkëvendësit të tij të shquar, njëherit mikut tim të madh, Doktor Zekeria Canës.
Sot jam i pikëlluar sa për projektine ende të parealizuar të Kastriot Shehdadit, aq më shumë për vdekjen e tij të hershme, të papritur e tepër të dhimbshme, e cila ka trishtuar gjithë botën shqiptare.
Le të jetë ky portret imi dedikuar librit të Kastriotit për historianin e madh Zekeria Canën, homazh e shprehje dhimbjeje e thellë edhe për Kastriotin e ikur tepër herët.

Nga: Salih Kabashi

10 Janar 2023

Zekeria Cana