Zelandë e Re, protesta kundër vaksinimit dhe mbajtjes së maskave

Qindra persona protestuan kundër kërkesës për vaksinim dhe mbajtjen e maskës në kryeqytetin e Zelandës së Re, Wellington, transmeton Anadolu Agency (AA).

Shumica e protestuesve pa maska, të cilët mësohet se kanë ardhur nga i gjithë vendi, bllokuan me orë të tëra me automjetet e tyre rrugët e kryeqytetit dhe më pas u mblodhën para parlamentit.

Ankesat e protestuesve përfshijnë detyrimin për të vaksinuar punëtorët në vend, përfshirë mësuesit, mjekët, infermierët, personelin policor dhe ushtarak kundër COVID-19.

Gjithashtu protestuesit kundërshtojnë kërkesën për mbajtjen e maskave në vende të tilla si dyqane dhe shkolla.

Kryeministrja Jacinda Ardern nuk u takua me protestuesit ndërsa policia u kërkoi demonstruesve të tërhiqnin automjetet dhe kamionët e tyre deri në orën 17:00.

Në vendin me një popullsi prej 5 milionë banorësh, janë regjistruar 53 vdekje nga COVID-19.

Sipas të dhënave nga “Our World in Data” rreth 77 për qind e banorëve të Zelandës së Re janë të vaksinuar. /aa