Zelensky fton kancelarin gjerman Scholz në Kiev më 9 maj

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka ftuar kancelarin gjerman, Olaf Scholz, të bëjë një “gjest të fuqishëm” dhe të vizitojë Kievin më 9 maj, datë në të cilën Rusia përkujton fitoren e Bashkimit Sovjetik në Luftën e Dytë Botërore.

Duke folur me ndihmën e një përkthyesi në institutin britanik Chatham House, Zelensky nisi një hap të gjerë drejt Rusisë, veçanërisht Mariupolit, ku sipas Kievit ka ende civilë të fshehur në fabrikën e çelikut Azovstal, nën rrethim.

Më pas ai ftoi Scholz të vizitojë vendin pas momentit të tensionit mes dy shteteve, kur kancelari gjerman nuk mundi të udhëtonte për në Kiev muajin e kaluar.

“Ai është i ftuar, ftesa është e hapur”, theksoi Zelensky.

“Ai është i ftuar të vijë në Ukrainë, ai mund të marrë këtë hap shumë të fuqishëm politik dhe të vijë këtu më 9 maj, në Kiev. Nuk do ta shpjegoj kuptimin e gjestit, mendoj se jeni mjaftueshëm të arsimuar për të kuptuar pse”, shtoi ai.

Dita e Fitores, e cila festohet më 9 maj, është një nga ngjarjet më të rëndësishme kombëtare në Rusi, që përkujton sakrificën e njerëzve të saj për të mposhtur Gjermaninë naziste në Luftën e Dytë Botërore, e njohur në Rusi si “Lufta e Madhe Patriotike”. /atsh