Zelensky: I jam mirënjohës Turqisë që është e gatshme të jetë garantuese e sigurisë tonë

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky ka falënderuar Turqinë për shkak të gatishmërisë së saj për të qenë garantuese e sigurisë së vendit të tij, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një pamje të publikuar nga kanali Telegram, Zelensky ka bërë deklarata lidhur me luftën që Rusia ka filluar kundër Ukrainës.

Lufta vazhdon prej 36 ditësh, tha Zelensky, duke shtuar: “Kemi rezistuar shumë herë më gjatë se mendonte armiku. Ata menduan se lufta do të vazhdonte vetëm 3 ose 5 ditë dhe se kjo kohë do të ishte e mjaftueshme për të marrë nën kontroll vendin tonë. Por, ne po rezistojmë dhe do të vazhdojmë të luftojmë”.

Zelensky tha se lufta është një betejë për të ardhmen e Ukrainës. “Vazhdon dëbimi i pushtuesit në rajonin Sumy në veri të Kievit në drejtim të Chernihivit”, tha ai.

“Njësitë ushtarake ruse po përpiqen të vendosen në zona të tjera të vendit”, deklaroi Zelensky duke informuar se në të ardhmen do të përjetohen konflikte.

Ai theksoi se Rusia po përpiqet të formojë struktura për të forcuar praninë e saj në rajonin Kherson që ka pushtuar. “Sigurisht që kjo është një përpjekje e kotë. Sa më aktivë të jenë ata atje, aq më të rënda do të jenë humbjet për Rusinë dhe popullin rus”, theksoi Zelensky.

“I jam mirënjohës Turqisë”

Zelensky vuri në dukje se ka zhvilluar një bisedë telefonike me presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan dhe se kanë diskutuar për takimin e negociatave që zhvilluan të martën në Stamboll mes delegacioneve të Rusisë dhe Ukrainës. “Ne i jemi mirënjohës Turqisë e cila është e gatshme të jetë garantuese e sigurisë së Ukrainës”, tha Zelensky.