Presidenti ukrainas theksoi se vendi i tij po kalon në periudhën më të vështirë të historisë së tij dhe se përballë sulmeve të Rusisë kanë nevojë për mbështetjen e të gjithë botës së lirë dhe kryesisht të qeverisë së SHBA-së
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, në një fjalim në seancën e përbashkët të Kongresit Amerikan kërkoi mbështetje nga SHBA-ja për caktimin e zonës së ndaluar për fluturim mbi Ukrainën dhe për sisteme të mbrojtjes ajrore si S-300, transmeton Anadolu Agency (AA).
Nëpërmjet një lidhje nga interneti, Zelensky shpjegoi në Kongresin Amerikan situatën e fundit lidhur me luftën dhe kërkesat për mbrojtje.
Zelensky, i cili gjatë fjalimit u duartrokit në këmbë nga anëtarët e Kongresit, theksoi se vendi i tij po kalon në periudhën më të vështirë të historisë së tij dhe se përballë sulmeve të Rusisë kanë nevojë për mbështetjen e të gjithë botës së lirë dhe kryesisht të qeverisë së SHBA-së.
“Aktualisht po caktohet fati i vendit tonë, po caktohet nëse qytetarët tanë do të jenë apo jo të lirë dhe nëse do të mundim të mbrojmë demokracinë”, tha Zelensky, i cili shtoi se lufta e tyre nuk është një luftë e cila kryhet vetëm për Ukrainën, por në emër të të gjithë komuniteteve që besojnë në vlerat demokratike.
Pasi anëtarëve të Kongresit u rikujtoi sulmet e Pearl Harbor-it dhe të 11 Shtatorit, Zelensky vuri në dukje se në këto sulme nuk u sulmuan vetëm amerikanët, por në të njëjtën kohë edhe vlerat amerikane, dhe se aktualisht të njëjtat gjëra po i ndodhin Ukrainës.
“A është e tepërt kërkesa për zonën e ndalim-fluturimit?”
Zelensky tha se Rusia ka lëshuar mijëra raketa ndaj vendit të tij dhe se kjo në Ukrainë ka shkaktuar një “terror” që Evropa nuk e ka parë që nga Lufta e Dytë Botërore.
“A është e tepërt të kërkosh caktimin e një zone ndalim-fluturimi mbi Ukrainë për të shpëtuar jetët e njerëzve? A është e tepërt të kërkosh një zonë humanitare ndalim-fluturimi në mënyrë që Rusia të mos terrorizojë vendin tonë? Nëse mendoni që kjo është e tepërt ne ju ofrojmë një alternativë dhe ju themi se kemi nevojë për S-300 ose sisteme të mbrojtjes ajrore të ngjashme”, tha në fjalimin e tij Zelensky.
Më tej presidenti ukrainas Zelensky deklaroi se “këto ditë janë kohët më të errëta për vendin tonë, paketat e reja sanksionuese (të Perëndimit) duhet të vazhdojnë derisa të ndalojnë ushtrinë ruse”. /aa







