Zëvendësministri i Drejtësisë: Për 5 vite ekspertët mjekoligjor janë kompensuar jashtëligjshëm në vlerën 1 milion euro

Zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu në konferencë për media ka bërë të ditur se kanë hasur në një shkelje ligjore që arrin shumën deri në 1 milion euro.

Sallahu para gazetarëve tha se bëhet fjalë për një ligj që ishte shfuqizuar, megjithatë, eksperët mjekoligjor ishin kompensuar jashtëligjshëm nga Këshilli Prokurorial për 5 vite, duke marrë kështu rreth 1 milion euro.

“Deri në ardhjen e Qeverisë Kurti, përfitimet ilegale, duket se kanë qenë të përhapura në nivele të larta. Qysh në fillim të mandatit tonë qeverisës jemi zotuar se do të punojmë pa ndërprerë që qytetarët të ju kthehet besimi në institucione. Në vitin 2016-të, më 6 prill ka hyrë në fuqi, ligji për mjekësi ligjore, atëherë ishin shfuqizuar të gjitha aktet nënligjore që ishin fuqizuar me ligjin paraprak”, tha ai, duke bërë të ditur se për këtë shkelje kishte pasur informacione edhe ish-ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha.

“Në atë kohë i kishin shkruar ish-ministres së drejtësisë, Dhurata Hoxha që e rregullonte punën jashtë orarit, në kuadër të IML-së, ishte propozuar që të rishikohet udhëzimi që rregullonte mënyrën e kompensimit sepse ishte bazuar në ligjet që ishin shfuqizuar. Ky ligj është ende në fuqi dhe po zbatohet njëkohësisht. Pavarësisht që kishte hyrë ligji në fuqi, ligji i ri dhe këshilli prokurorial ia kishte tërhequr vërejtjen ish-ministres Dhurata Hoxha, ajo nuk kishte marrë asnjë veprim”, shtoi ai.

“Për shkak të këtij mosveprimi, ekspertët mjekoligjor janë kompensuar jashtëligjshëm nga Këshilli Prokurorial në vlerë afër 1 milion euro për gjatë 5 viteve të fundit përmes një udhëzimi administrativ. Edhe pas transformimit ligjor, këshilli prokurorial ka vazhduar ndarjen e mjeteve në mënyrë të jashtëligjshme, me udhëzimin që është bazuar në ligjin që është shfuqizuar. Vlera që është kompensuar kundërligjshëm arrin shumën rreth 800 mijë euro”, thotë ai.

Sallahu ka thënë se po merren masa të menjëhershme për të hartuar drafin e ri.

“E kemi denoncuar këtë rast, dhe do të vazhdojmë të jemi të pakompromis. Kemi ndërmarrë masa të menjëhershëm ku kemi hartuar draftin e ri për llogaritjen e tarifave për fushën në mjekësinë ligjore dhe pjesëmarrjen e ekspertëve mjekoligjor në seanca dëgjimore”, shtoi ai.

“Ky vendim mundëson funksionimin stabil të ekspertët e mjekësisë ligjore. Me këtë vendim që hyn se shpejti në fuqi, vdes mundësia që të shfrytëzohen resurset e IML e shuma e parave të kalojë në xhirollogarinë e ekspertëve, në dëm të institutit”, tha ai duke bërë të ditur se e kanë denoncuar rastin te organet hetuese.