Klubi i Beshiktashit në Turqi ka instaluar një kabinë gjigante dezinfektuese në hyrje të terrenit stërvitor, pasi skuadrat e Superligës turke kanë nisur përgatitjet për rifillimin e kampionatit.
Lojtarët dhe stafi do të detyrohen të futen në këtë kabinë me maska përpara se të marrin pjesë në trajnime, si një nga masat higjienike të marra nga klubi për të parandaluar përhapjen e Covid-19.
Struktura është prodhuar nga kompania turke Etisan dhe do të mbetet në klubin e Beshiktashit për aq sa të jetë e nevojshme.
Kabina u instalua pas lajmit se një lojtar i Beshiktashit dhe një anëtar i stafit kanë dalë pozitivë me Koronavirus vetëm tri ditë pas njoftimit se Liga Turke do të rifillojë muajin tjetër.
Superliga e Turqisë ishte nga të fundit në Europë që ndaloi së luajturi pas shpërthimit të Covid-19. Ndeshja e fundit u zhvillua 17 mars.
Por presidenti i Ligës Turke të Futbollit, Nihat Ozdemir, njoftoi në një videokonferencë katër ditë më parë se ndeshjet do të rifillojnë muajin tjetër në stadiume pa tifozë, me qëllimin për të përfunduar sezonin përkatës deri më 26 korrik.