Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Zonja e Parë e Turqisë, Emine Erdogan do të presë bashkëshortet e...

Zonja e Parë e Turqisë, Emine Erdogan do të presë bashkëshortet e liderëve në Samitin e NATO-s në Ankara

Zonja e Parë e Turqisë, Emine Erdogan do të takohet me bashkëshortet e krerëve të shteteve dhe qeverive që do të marrin pjesë në Samitin e NATO-s në Ankara në një tryezë të rrumbullakët me temë “Fëmijët, Teknologjia dhe Siguria: Mbrojtja e Gjeneratës së Ardhshme”, raporton Anadolu.

Emine Erdogan do të presë bashkëshortet e krerëve të shteteve dhe qeverive që do të mbërrijnë në Ankara për Samitin e 36-të të NATO-s, i cili fillon nesër, në Pallatin Çankaya më 8 korrik. Ajo do të përshëndesë personalisht më shumë se 20 bashkëshorte të krerëve të shteteve dhe qeverive me mbërritjen e tyre në pallat.

Pas ceremonisë së mirëseardhjes, Emine Erdoğan dhe bashkëshortet do të zhvillojnë një tryezë të rrumbullakët me temë “Fëmijët, Teknologjia dhe Siguria: Mbrojtja e Gjeneratës së Ardhshme”.

Takimi që do të mbahet në margjinat e Samitit të NATO-s në Ankara, pritet të ofrojë një platformë për shkëmbimin e pikëpamjeve që synojnë forcimin e përpjekjeve të përbashkëta për të mbrojtur më efektivisht fëmijët nga rreziqet e botës dixhitale.

Në takim synohet rritja e ndërgjegjësimit për rreziqet që fëmijët mund të përballen në mjediset dixhitale, zhvillimi i bashkëpunimit midis palëve të interesuara për këtë çështje dhe ndarja e praktikave të mira në vendet aleate.

Gjithashtu me takimin synohet të theksohet rëndësia e një qasjeje të bazuar në të drejta dhe të përqendruar në vlera, e cila nuk e shpërfill zhvillimin e fëmijëve në përcaktimin e politikave dhe praktikave në fushën dixhitale, dhe të kontribuojë në zhvillimin e mekanizmave mbrojtës të balancuar, të matur dhe të përshtatshëm për moshën.

Takimi, ku bashkëshortet e udhëheqësve do të flasin me radhë, është planifikuar të trajtojë temat si në vijim, “Siguria dixhitale dhe rreziqet e gjeneratës së ardhshme”, “Qasjet mbrojtëse dhe të përshtatshme për moshën”, “Përgjegjësia e përbashkët dhe bashkëpunimi me shumë aktorë”, “Ndërgjegjësimi, edukimi dhe njohuritë dixhitale”, “Qasjet etike dhe të bazuara në vlera” dhe “Ndarja e shembujve të praktikave më të mira”.

– Emine Erdogan do t’u prezantojë bashkëshorteve të udhëheqësve shijet e kuzhinës turke
Pas takimit të tryezës së rrumbullakët, zonja e parë e Turqisë do të drekojë me bashkëshortet e udhëheqësve. Përmes ushqimeve që do të jenë në tryezat me shije që pasqyrojnë gastronominë turke, bashkëshorteve të liderëve do t‘u prezantohet nga afër kuzhina turke.

Bashkëshortet e udhëheqësve do të shijojnë vaktin e tyre në një sallë ku do të shfaqen shembuj të pllakave të Iznikut dhe mbulesa tavoline që pasqyrojnë kulturën turke të qëndisjes. Në këtë drejtim, dreka përtej të qenit një drekë ftese, ajo do t’i bëjë mysafirët të ndiejnë traditat e artizanatit, artit dhe mikpritjes turke.

Pas drekës, Emine Erdogan dhe bashkëshortet e udhëheqësve do të pozojnë për një fotografi familjare.

– Ato do të shohin nga afër artizanatet tradicionale
Pas fotografisë familjare, Emine Erdogan dhe bashkëshortet e liderëve do të shqyrtojnë një koleksion që paraqet përfshirë pëlhura, qëndisje dhe punime me gjilpërë të cilët pasqyrojnë artizanate (punime me dorë) tradicionale dhe pasurinë e kulturës turke të endjes.

Bashkëshortet e liderëve mysafirë, do të kenë gjithashtu mundësinë të shohin nga afër objekte që përfaqësojnë kujtesën vizuale të Mesopotamisë, tokave të Anadollit, Perandorisë Osmane dhe shteteve turke.