Zyra e Kurtit dhe ajo e Osmanit konfirmojnë pjesëmarrjen në diskutimin për Asociacionin

Zyra e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe ajo e presidentes Vjosa Osmani, kanë konfirmuar pjesëmarrjen në diskutimin për Asociacionin, që do ta organizojë Ambasada amerikane në Prishtinë më 31 janar.

“Qëllimi ynë është të avancojmë mirëkuptimin e ndërsjellë për përkushtimin ndaj Asociacionit të komunave me shumicë serbe”, thuhet në një përgjigje të Ambasadës amerikane dërguar Radios Evropa e Lirë.

Ambasada amerikane tha se diskutimi për Asociacioni konsiston me qëllimin e Shteteve të Bashkuara për të avancuar integrimin e Kosovës në strukturat evropiane dhe euroatlantike dhe është si “reflektim për miqësinë tonë të gjatë dhe mbështetjen për popullin e Kosovës”.

Shtetet e Bashkuara më herët kanë deklaruar se në diskutimin e 31 janarit janë ftuar një grup divers i liderëve të shoqërisë civile, zyrtarëve qeveritarë, liderëve politikë dhe diplomatëve.

Dy partitë opozitare, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, po ashtu kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre në diskutimin e organizuar nga SHBA-ja.

Kosova dhe Serbia, në kuadër të dialogut që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian, kanë arritur dy marrëveshje sa i përket Asociacionit, një më 2013 dhe një më 2015.

Më 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës gjeti se Marrëveshja mbi parimet për themelimin e Asociacionit, nuk ishte në harmoni të plotë me Kushtetutën, por që nenet mund të harmonizohen.

Në një draft-statut të publikuar të hënën nga organizata gjermane, Friedrich-Ebert-Stiftung (FES), parashihet që Asociacioni i komunave me shumicë serbe në Kosovë të formohet në përputhje me Kushtetutën dhe sistemin juridik të Kosovës.

I përbërë nga 7 kapituj dhe 18 nene, ky draft-statut parasheh mënyrën e themelimit, strukturën organizative, marrëdhëniet me autoritetet qendrore, rregullimin ligjor, buxhetin, si dhe aspekte të tjera të funksionimit të këtij asociacioni, përfshirë simbolet.