Zyrtarë të lartë amerikanë kanë mbërritur në Izrael për takime me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, ku fokusi kryesor pritet të jetë situata në Gaza dhe zhvillimet lidhur me Iranin.
Sipas burimeve të informuara, të shtunën në Izrael ndodheshin emisarët amerikanë Steve Witkoff dhe Jared Kushner, të cilët zhvilluan bisedime me Netanyahun. Zyra e kryeministrit izraelit nuk ka komentuar menjëherë për takimin.
Ndërkohë, në Izrael ka mbërritur edhe shefi i Komandës Qendrore të SHBA-së (CENTCOM), gjenerali Brad Cooper. Mediat izraelite raportojnë se ai pritet të takohet me zyrtarë të lartë të sigurisë, përfshirë shefin e Shtabit të Përgjithshëm Eyal Zamir dhe komandantin e Forcave Ajrore, Tomer Bar.
Vizita zhvillohet në një kohë kur po rriten shqetësimet se Irani mund të jetë pranë shënjestrimit nga një sulm i mundshëm ushtarak amerikan, teksa SHBA-ja vazhdon të forcojë praninë e saj ushtarake në rajon. Autoritetet izraelite kanë bërë të ditur se forcat ajrore janë në gjendje gatishmërie të lartë, mes vlerësimeve për një përshkallëzim të mundshëm kundër Teheranit.
Presioni i SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit është shtuar pas protestave të shpërthyera në Iran në fund të dhjetorit, të nxitura nga përkeqësimi i kushteve ekonomike dhe sociale. Teherani ka akuzuar Uashingtonin se po përdor sanksione dhe presion politik për të nxitur destabilizim dhe për të krijuar justifikim për ndërhyrje ushtarake.
Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se SHBA-ja ka një “armadë” në lëvizje drejt Iranit, por ka shprehur shpresën se nuk do të ketë nevojë ta përdorë atë, duke paralajmëruar Teheranin kundër shtypjes së protestave apo rifillimit të programit bërthamor.
Gaza
Ndërkohë, kreu i një komiteti të përkohshëm palestinez për administrimin e Gazës, Ali Shaath, ka deklaruar se pika kufitare e Rafahut pritet të hapet javën e ardhshme. Kjo pikë përbën pothuajse të vetmen rrugë hyrje-dalje për mbi dy milionë banorët e Gazës.
Megjithatë, Izraeli synon të kufizojë numrin e palestinezëve që hyjnë në Gaza përmes kufirit me Egjiptin, me qëllim që të lejojë më shumë dalje sesa hyrje. Kufiri ishte parashikuar të hapej gjatë fazës së parë të planit amerikan për përfundimin e luftës, pas armëpushimit të arritur në tetor mes Izraelit dhe Hamasit.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, numri i të vrarëve nga ofensiva izraelite që nga 7 tetori 2023 ka arritur në 71.654, ndërsa që nga hyrja në fuqi e armëpushimit në tetor janë vrarë 481 persona. SHBA-ja ka njoftuar se marrëveshja ka hyrë tashmë në fazën e dytë, e cila parashikon tërheqjen e mëtejshme të trupave izraelite nga Gaza. /mesazhi






