11 të vdekur pas zjarrit në një strehimore

Njëmbëdhjetë persona vdiqën pas një zjarri të rënë në një qendër banimi për persona të moshuar në vështirësi financiare, në veri të Japonisë, bënë të ditur sot forcat e rendit.

Forcat e shpëtimit janë vënë në dijeni pak para mesnatës (23:42 ose 14:42 GMT) të zjarrit të rënë në Sapporo, në ishullin e Hokkaido.

Pamjet e transmetuara në televizion shfaqin ndërtesën trekatëshe të përshirë nga flakët, me praninë e dhjetëra forcave zjarrfikëse të mobilizuar në një peizazh me dëborë.

Viktimat, tetë burra dhe tre gra renditen në mesin e 16 banorëve të qendrës pritëse nën drejtimin e një organizate lokale. Pesë banorë të tjerë kanë marrë plagë të lehta. Ndërkohë ka nisur hetimi për të zbardhur shkaqet e zjarrit, sipas të dhënave të policisë.