2018-a, vit kyç për të ardhmen evropiane të Shqipërisë

/ATSH-Gjergji Mima/ -2018-a është një vit kyç për Shqipërinë, sa i përket çeljes së negociatave në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Kjo ka qenë deklarata e thënë më shumë nga drejtuesit e Bashkimit Evropian, në këtë fundvit, teksa flisnin për Shqipërinë dhe 6 muajt që e ndajnë vendin tonë nga raportimi i Komisionit Evropian dhe vendimi i këshillit të Ministrave të vendeve të BE.

Por sigurisht, deri atëherë duhet që Shqipëria të tregojë rezultate konkrete sidomos përsa i përket reformave shtetndërtuese, në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe respektimit të të drejtave të njeriut.

“Tirana ka nisur reforma të rëndësishme në drejtësi, në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe trafikimit të drogës. Dhe për të gjitha çështjet kryesore të çështjeve të jashtme, Shqipëria dhe Bashkimi Europian janë në linjë me njëqind për qind. Për këto arsye, gjithashtu, kam konfirmuar vendosmërinë tonë për të ndjekur rrugën e integrimit evropian të Shqipërisë”, është shprehur Përfaqësuesja e Lartë e BE, Federica Mogherini.

Për këtë viti 2018 shihet si një test mjaft i rëndësishëm për klasën politike shqiptare. Të gjithë pyesin a do të jetë Shqipëria e aftë që në 6 muaj ti tregojë Evropës se e meriton çeljen e negociatave me Bashkimin Evropian? A do të arrijë klasa poltike shqiptare që të tejkalojë axhendën politike të ditës dhe të bashkëpunojë sa i përket problematikave të integrimit, në mënyrë që çdo shtet anëtar i BE të bindet plotësisht që Shqipëria e meriton të avancojë në rrugën e saj drejt BE.

Por një nga objektivat kyç të 2018-ës , që është reforma në drejtësi pritet të japë rezultat e para që në muajin janar. Këto rezultate do të jenë përcaktuese për raportin e Komisionit të bashkimit Evropian në fillim dhe për vendimin e Këshillit të Minsitrave të vendeve anëtare për të hapur ose jo negociatat me Shqipërinë për anëtarësim në bashkimin Evropian.

Zgjedhja e Prokurores së Përgjithshme me mandat të përkohshëm u pa edhe nga partnerët ndërkombëtarë SHBA dhe BE si një hap përpara në Reformën në Drejtësi.

Kryeministri Rama pas takimit me Përfaqësuesen e Lartë të BE, Federica Mogherini dhe kryeministrat e Vendeve të Ballkanit Perëndimor u shpreh se “ka qenë shumë e qartë se edhe vendimi në Kuvend i ka shërbyer rritjes së besimit se reforma në drejtësi do të shkojë në drejtimin e duhur, dhe se ka një vullnet të palëkundur për ta çuar këtë reformë përpara”.

Megjithatë ftesat e mazhorancës ndaj opozitës për ta zgjedhur me dialog Prokurorin e Përgjithshëm me mandat të përkohshëm nuk gjetën përgjigje pozitive. Opozita ka paralajmëruar protesta në ditët e para të janarit dhe duket se politika shqiptare do të jetë e tensionuar edhe për disa kohë.