26 të lënduar nga aksidenti në Kroaci do të lirohen sot nga spitali

26 të lënduar nga aksidenti me fatalitet i autobusit në Kroaci që ndodhi gjatë ditës së djeshme, pritet të lirohen sot nga spitali.

Këtë e ka bërë të ditur Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i cili është duke qëndruar që nga dita e djeshme në Kroaci, transmeton lajmi.net.

“Pas takimit me prefektin e Qarkut  të Sllavonska Pozhegës, Danijel Marushiq, drejtorin e Spitalit dr. Samargjiq dhe drejtorin e Policisë së Sllavonska Pozhegës Antun Valiq nga të cilët u njoftuam në detaje mbi të gjitha informatat e nevojshme sidomos mbi gjendjen e pacientëve, vazhduam me vizitën në spitalin e qytetit ku takuam gjithë pacientët e shtrirë aty. Të inkurajuar me përmirësimin e gjendjes së tyre pasi vërehej përkujdesje maksimale e gjithë stafit mjekësorë, kuptuam se tashmë 26 bashkëqytetarë tanë gjatë ditës lirohen nga spitali. Nga 16 pacientë të lënduar më rëndë për të cilët trajtimi spitalior vazhdon, dy janë në kujdes intenziv me njërin nga ta në gjendje stabile”, ka shkruar ai.

Ai ka shtuar shtuar se tani po punohet për rikthimin e bashkëatdhetarëve nga spitali si dhe kthimin e kufomave tek familjet e tyre.

“Tashmë po punohet për kthimin e bashkatdhetarëve të liruar nga spitali si dhe kthimin e kufomave te familjet e tyre, në vend të tyre. Edhe njëherë duhet falemnderuar shtetin kroat e gjithë zyrtarët e angazhuar për përkujdesjen shembullore në këtë tragjedi”, përfundoi ai.