Një nga tekstet universitare të kriminalistikës në Serbi është libri “Kriminalistika” i profesorit Branislav Simonović. Në teorinë dhe praktikën e shërbimeve të inteligjencës njihet mirë një parim: bashkëpunëtori nuk shfrytëzohet vetëm për informacionin që siguron. Në momentin kur ekspozohet, arrestohet ose sakrifikohet, ai mund të përdoret edhe për një operacion të fundit—për dezinformim, komprometim politik dhe përçarje të kundërshtarit.
Pikërisht këtu duhet analizuar rasti i Fatmir Shehollit.
A kemi kapur një bashkëpunëtor të Serbisë, apo bashkë me të kemi pranuar edhe “Kalin e Trojës” që na është lënë te dera?
Dosja që u paraqit si material tepër sekret përmbante pretendime aq të gjera, të ekzagjeruara dhe shpesh absurde, saqë kërkon më shumë dyshim sesa entuziazëm. Sipas asaj logjike, nga një person i vetëm varej jeta mediale e Kosovës, ndikimi mbi këngëtarët, ndërtimi i xhamive, orientimi fetar i shoqërisë dhe gati transformimi i Kosovës në “Kandahar”.
Kjo nuk tingëllon si analizë serioze operative. Tingëllon si material i ndërtuar për të prodhuar frikë, dyshim dhe konflikt të brendshëm.
Nëse vërtet BIA i harton dokumentet e veta “top secret” në këtë nivel, atëherë Serbia paska një aparat inteligjence çuditërisht naiv. Por nëse dokumenti është manipuluar, ekzagjeruar ose vendosur qëllimisht pranë një bashkëpunëtori të ekspozuar, atëherë naiviteti është në anën tonë: e kemi marrë karremin dhe kemi filluar ta luftojmë njëri-tjetrin.
Pikërisht këtë duhet ta shmangim.
Kosova nuk bëhet “Kandahar” pse qytetarët e saj ndërtojnë xhami, praktikojnë fenë apo shkojnë në haxh. Edhe sikur i gjithë populli të bëhej më fetar, pozita gjeografike, historia politike, sistemi kushtetues dhe orientimi strategjik i Kosovës mbeten evropiane. Shoqëritë nuk transformohen në Afganistan nga një dosje, nga një predikues apo nga një bashkëpunëtor i dyshuar. Në rastin e tillë ndoshta do të bëhej Turqi, shtet ky në 20 botërore e që Serbia është shërbëtore e tij e edhe e Rusisë- kështu akuzohej nga zonja Merkel. Cmenduri.
Në fund, duhet ruajtur edhe proporcioni.
Nuk është kapur drejtori i një rrjeti të padukshëm që kontrollonte shtetin. Është arrestuar një person që për vite me radhë shfaqej publikisht në televizione, drejtonte emisione, lëvizte lirshëm, rrinte me politikanë dhe darkonte me zyrtarë të lartë. Nëse ka kryer vepër penale, institucionet duhet ta hetojnë, prokuroria duhet ta provojë dhe gjykata duhet të vendosë.
Por qytetarët nuk duhet të shndërrohen në hetues, prokurorë dhe konsumues të çdo materiali që etiketohet si “sekret”.
Ne paguajmë taksa që shteti të na mbrojë nga operacionet armiqësore—jo që çdo dosje e dyshimtë të hidhet në publik dhe të na fusë në luftë me njëri-tjetrin.
Kapja e një bashkëpunëtori mund të jetë fundi i punës së tij. Por për shërbimin që e ka përdorur, mund të jetë edhe akti i fundit i operacionit.
Pyetja është: a e kapëm vetëm bashkëpunëtorin, apo e hëngrëm edhe karremin?
Naser Rafuna








