A është e shëndetshme të konsumoni oriz më shumë se një herë në ditë?

A është e shëndetshme të konsumoni oriz më shumë se një herë në ditë?

Kontributi i orizit në shëndetin e njeriut shpeshherë vihet në pikëpyetje që kur kanë filluar të shpeshtohen rastet me sëmundje metabolike si diabeti. Orizi që atëherë ka filluar të ketë reputacion të keq pasi që shpesh është raportuar se ky ushqim mund ta rrisë nivelin e sheqerit në gjak.

Prandaj shumë njerëz që e pëlqejnë këtë ushqim kanë pyetje rreth llojeve të ndryshme të orizit si dhe se sa herë në ditë është e këshillueshme të konsumohet, shkruan “Times of India”.

“Përderisa orizi konsumohet në mënyrë mesatare si pjesë e një diete të balancuar, nuk shkakton probleme shëndetësore dhe mund të konsumohet më shumë se njëherë në ditë”, ka thënë doktori Manjari Chandra.

Shumë kultura e konsiderojnë orizin si ushqim bazë pasi përmban karbohidrate të shëndetshme të cilat e mbushin trupin me energji, por doktori këshillon së duhet të kontrollohet sasia që konsumohet në mënyrë që të mos teprohet.

“Konsumimi i orizit shumë herë brenda ditës nuk do të ishte opsion shumë i mirë për ata persona që duan të kenë peshë të balancuar trupore apo për ata që kanë probleme shëndetësore si diabeti”, ka thënë dietologu.

Ai ka shtuar se është e këshillueshme që mënyra e të ushqyerit të përmbajë edhe drithëra të tjera si kuinoa apo meli.

Chandra ka thënë se personat me diabet mund të konsumojnë oriz vetëm se duhet të kenë parasysh sasinë në mënyrë që të mos tejkalohet normalja.

“Konsumimi i orizit dy herë në ditë mund të jetë në rregull nëse në dietë janë të inkorporuara edhe pemë e prime të ndryshme që balancojnë indeksin glikemik”, ka thënë ai.

Cili oriz është më i shëndetshëm?

Ndërkohë që orizi i bardhë konsumohet më shpesh, ai ka më pak vlera ushqyese krahasuar me orizin ngjyrë kafe apo të kuq.

Pasi që orizi ngjyrë kafe dhe ai i kuq klasifikohen si drithëra të plota, kanë më shumë vlera ushqyese si fibra, vitamina e minerale dhe prandaj mund të jenë zgjedhje më e mirë për ata që konsumojnë shumë shpesh oriz.

“Balancimi është çelësi kur bëhet fjalë për menaxhim të shujtave. Një dietë që përmban shumë oriz, sidomos atë të bardhë mund të rezultojë në shtim më të madh të kalorive, gjë që mund të shkaktojë rritje të peshës trupore. Kur orizi shoqërohet me perime dhe proteina, konsiderohet si pjatë e balancuar”, ka thënë ndër të tjera dietologu.