A janë të besueshëm testet e intolerancës ushqimore

Keni ndërmend të bëni një test intolerance ushqimore për të parë se çfarë ushqimesh nuk i pëlqejnë trupit tuaj? Keni dyshime mbi saktësinë? S’keni faj.

Ndjeshmëria ndaj ushqimeve nuk është diagnozë reale mjekësore. Ky term përdoret nga prodhuesit e analizave të gjakut që pikasin ndjeshmërinë e trupit kundrejt ushqimeve specifike. Problemi qëndron në faktin se këto analiza nuk mbështeten nga prova të forta apo të pranuara gjerësisht nga mjekët.

Alergjia, intoleranca dhe ndjeshmëria

Alergjitë ushqimore ndodhin ku sistemi imunitar reagon ndaj një substance, zakonisht një proteine, në një ushqim. Sistemi imunitar vihet në punë kur pikas një substancë të dëmshme duke krijuar antitrupa. Kur dikush ka alergji një ushqim, sistemi i tyre imunitar identifikon një proteinë specifike si të dëmshme krijon antitrupa për ta luftuar. Kjo rezulton në një sërë simptomash si skuqje në lëkurë dhe probleme me frymëmarrjen.

Intolerancat ushqimore nuk janë reagim i sistemit imunitar, por kanë të bëjnë me vështirësi në tretje. Intolerancat ushqimore shpjegohem me mungesën e një enzime që nevojitet për të tretur disa ushqime ose si reagim ndaj substancave të shtuara në çfarë konsumojmë. Ata që kanë intoleranca ushqimore mund të hanë sasi të vogla të ushqimit që s’tresin dot pa ndjerë asnjë simptomë. Kur hanë shumë, trupi reagon. Për shembull, njerëzit që janë intolerantë ndaj laktozës mund të pinë sasi të vogla qumështi apo të hanë bulmetra me pak laktozë pa u ndjerë keq.

Ndjeshmëria ushqimore nuk ka përkufizim mjekësor standard. Mund të përdoret për çdo gjë. Ndonjëherë ky term shkëmbehet me intolerancën ushqimore, si për shembull ndjeshmëri ndaj sulfiteve apo ndjeshmëri ndaj histaminës. Në raste të tjera përdoret për të përmbledhur alergjitë dhe intolerancat.

Testet e intolerancës
Edhe pse ndjeshmëria ushqimore nuk është një diagnozë zyrtare, dita ditës rritet popullariteti i testeve që përcaktojnë këto ndjeshmëri. Sidoqoftë, për momentin, nuk ka prova për të vërtetuar se testet janë të sakta apo të besueshme në diagnostikimin e intolerancave, alergjive apo ndjeshmërive.

Porsi testet e alergjive, edhe këto teste kërkojnë për antitrupa imonuglobine.

Në rastin e alergjive, testet në lëkurë dhe analizat e gjakut masin një protesinë të quajtur imunoglobulinë E, ose IgE. Prezenca e antitrupave IgE nënkupton reagimin e sistemit imunitar.
Testet e ndjeshmërisë apo intolerancës ushqimore masin prezencën e IgG (jo IgE). Antitrupat IgG nuk identifikojnë saktë as alergjitë ushqimore, as intolerancat. Shumica e njerëzve prodhojnë antitrupa IgG pasi hanë. Nuk i korrespondojnë një intolerance, edhe pse ekspozimi i shpeshtë ndaj një ushqimi rezulton në nivele më të larta të IgG.
Ngaqë testimet me bazë antitrupat IgG nuk identifikojnë saktë ndjeshmëritë apo alergjitë, nuk mund të thuhet se testet e intolerancës ushqimore janë të sakta. Si pasojë e këtyre testeve jo të besueshme, mund të shmangni ushqime të shëndetshme ose të konsumoni ushqime që ju bëjnë dëm.

Çfarë të bëni
Nëse mendoni se jeni intolerantë ndaj një ushqimi, kini parasysh simptomat: dhimbje barku, fryrje, gazra, diarre dhe/ose skuqje e kruajtje në lëkurë. Këto simptoma shfaqen disa orë pasi konsumoni ushqimin e dyshuar. Monitoroni çfarë hani dhe eleminoni gradualisht njëri pas tjetrit ushqimet që mendoni se s’toleroni dot. Vetëm në këtë mënyrë do të kuptoni cilin ushqim mezi tresni.