Ballina Artikuj Adhurimet na Afrojnë me Zotin tonë

Adhurimet na Afrojnë me Zotin tonë

  

 

            Të nderuar besimtarë!

Adhurimet janë detyra që na afrojnë me Zotin tonë, na mundësojnë të arrijmë pëlqimin e Tij dhe na pajisin me moral të bukur. Shprehja më e qartë e kësaj është ajeti kuranor: “Thuaj: Namazi im, adhurimet e mia, jeta ime dhe vdekja ime janë vetëm për Allahun, Zotin e botëve”.[1]

Namazi na largon nga mëkatet dhe të këqijat. Ai i jep freski zemrës sonë dhe qetësi shpirtit tonë. Zekati dhe sadakaja që japim, i shtojnë bereqetin pasurisë dhe jetës sonë. Ato bëhen mjet për përhapjen e vetëdijes së ndihmës dhe solidaritetit në të gjithë shoqërinë. Agjërimi e çliron zemrën tonë nga robëria e epsheve dhe dëshirave të kësaj bote. Ai e përsos moralin tonë dhe na jep personalitet.

            Besimtarë të dashur!

Haxhi dhe umreja janë prej adhurimeve që janë shenjë e dorëzimit tonë ndaj Allahut. Në Kur’anin Famëlartë urdhërohet: وَأَتِمُّوا الْحَجَّ وَالْعُمْرَةَ لِلَّهِ “Plotësoni haxhin dhe umren për hir të Allahut”.[2] Në këto ditë kur po përcjellim besimtarët për në haxh drejt vendeve të shenjta, ne e dimë se haxhi dhe umreja janë një takim vëllazëror që bashkon muslimanët me gjuhë, raca dhe medhhebe të ndryshme, duke u dhënë atyre vetëdijen e robërisë dhe ndërgjegjen e ummetit. Ky është një udhëtim i bekuar ku besimtari strehohet në mëshirën dhe mirësitë e pafundme të Allahut, dhe shpreson faljen e mëkateve me pendime të sinqerta e me lot në sy. Është një kohë përtëritjeje dhe ringjalljeje që u ofron besimtarëve mundësinë për të ndërtuar të ardhmen e tyre duke bërë llogarinë e së shkuarës.

            Muslimanë të nderuar!

Një tjetër adhurim që na afron me Zotin është kurbani. Adhurimi i kurbanit, për të cilin kemi filluar përgatitjet këto ditë, është një tregues se ne mund të sakrifikojmë pasurinë dhe jetën tonë në rrugën e Allahut të Lartësuar. Siç urdhërohet në ajetin kuranor: لَن يَنَالَ اللَّهَ لُحُومُهَا وَلَا دِمَاؤُهَا وَلَـٰكِن يَنَالُهُ التَّقْوَىٰ مِنكُمْ ۚ “Te Allahu nuk arrin as mishi, as gjaku i tyre, por te Ai arrin devotshmëria (takvaja) juaj”,[3] qëllimi i kurbanit është nënshtrimi ndaj urdhrit të Allahut dhe dëshmimi i besnikërisë ndaj Tij. Qëllimi i kurbanit është pastrimi nga cilësitë e këqija si egoizmi, koprracia dhe lakmia. Qëllimi i tij është hapja e zemrave ndaj njëri-tjetrit, përforcimi i unitetit dhe vëllazërisë sonë, duke u përpjekur që mirësia të mbizotërojë në mbarë botën.

Të dashur besimtarë!

Kurbani, në të njëjtën kohë është një akt mirësie. Ai është ura e zemrave që kemi ndërtuar mes nesh dhe njerëzve që na shohin ne si një shpresë. Kurbani do të thotë të dërgosh dashuri në shtëpitë e vëllezërve tanë që presin rrugën tonë me mall, dhe të jetosh gëzimin e bajramit në sofrat e tyre.

E lutim Zotin Krijuesin Fuqiplotë që të na mundësojë të arrijmë në Kurban Bajram me shëndet dhe mirëqenie. Po e përfundojmë hutben tonë me këtë lutje të Profetit tonë (s.a.s): “…O Allah! Ky kurban është prej Teje dhe është ofruar për pëlqimin Tënd nga Muhamedi (s.a.s) dhe umeti i tij”.[4]

 

[1] En’am: 162.

[2] Bakare: 196.

[3] Haxh: 37.

[4] Ibn Maxheh: Edahi, 1.