Afganistani mbyll përsëri shkollat për vajzat, citon mungesën e projekt-planit të “ligjit islamik”

Ministria tha se shkollat e vajzave do të mbyllen “derisa të hartohet një plan në përputhje me ligjin islamik dhe kulturën afgane”

Qeveria e përkohshme në Afganistan e udhëhequr nga talebanët ka urdhëruar mbylljen e shkollave për vajzat, duke cituar mungesën e një “projekt-plani sipas ligjit islamik”, transmeton Anadolu Agency (AA).

Siç raporton agjencia zyrtare e lajmeve ‘Bakhtar’, Ministria e Arsimit e vendit njoftoi se “të gjitha shkollat, të mesme dhe të mesme të ulëta, e vajzave do të mbyllen deri në një njoftim tjetër”.

Më 24 mars shënohet viti i ri shkollor në Afganistan, pasi zyrtarët e qeverisë së përkohshme mbajtën një ngjarje për të shënuar rihapjen e institucioneve arsimore.

Ministria theksoi se shkollat e vajzave do të mbyllen “derisa të hartohet një plan në përputhje me ligjin islamik dhe kulturën afgane” dhe se momentalisht vetëm nxënëset deri në klasë të gjashtë do të lejohen të ndjekin mësimet në shkollë.

Një zëdhënës i Ministrisë së Arsimit tha se kjo mbyllje do të jetë në fuqi deri në njoftimin e ardhshëm, duke shtuar se ato do të rihapen pasi qeveria të “finalizojë politikën e saj sipas Sheriatit (ligji islamik) për arsimimin e grave”.

Talebanët janë kritikuar ashpër për mbylljen e institucioneve arsimore për gratë dhe vajzat. Megjithatë, qeveria e përkohshme e talebanëve ka argumentuar se i mungon financimi i duhur për të drejtuar shkollat dhe për të paguar pagat e mësuesve.

Kjo masë vjen vetëm shtatë muaj pasi shkollat për vajza u rihapën në Afganistanin e shkatërruar nga lufta.

Talebanët u rikthyen në pushtet pas 20 vitesh luftë dhe konflikt me forcat e huaja që u tërhoqën nga Afganistani në muajin gusht të vitit të kaluar. Kjo rezultoi në rrëzimin e administratës së Kabulit të mbështetur nga SHBA-ja, duke u hapur rrugën talebanëve për të hyrë në kryeqytetin e sotëm.

Pas marrjes së kontrollit, SHBA-ja bllokoi lëshimin e mbi 7 miliardë dollarëve të rezervave afgane dhe më vonë tha se do t’i ndajë këto dhe do t’ua dorëzojë gjysmën e parave viktimave të sulmeve të kullave binjake të vitit 2001. Washingtoni tha se gjysma e dytë do të kthehet në Afganistan përmes organizatave joqeveritare.

Në shkollën e mesme Amani në Kabul, zyrtarë të caktuar nga talebanët morën pjesë në një ceremoni për të shënuar fillimin e vitit shkollor.

Maulvi Syed Ahmad Shahid Khel, një zyrtar taleban tha se Islami e konsideron fenë, diturinë dhe mirëkuptimin si një “parim bazë për jetën e mirë të qenieve njerëzore” dhe Kur’anin e shenjtë si “burimin e parë dhe më të madh të të gjithë dijes”. /aa