Ajdini: Punëtorët po shkelen, paga minimale të ngritet në 350 euro

Paga minimale në Kosovë, ndonëse sipas Ligjit të Punës do të duhej të përcaktohej çdo vit, që nga viti 2011 vazhdon të jetë 130 euro për të punësuarit e moshës nën 35-vjeç dhe 170 euro për të punësuarit e moshës mbi 35-vjeç.

Muaj më parë Partia Socialdemokrate doli me një ide për ngritjen e pagës minimale në 250 euro. Por, Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës, po mendon që paga minimale në Kosovë duhet të jetë 300 ose 350 euro.

Kryetari i BSPK-së, Avni Ajdini në një intervistë për Ekonomia Online, thotë se njëra nga mënyrat për të ndalur ikjet e punëtorëve është përmirësimi i menjëhershëm i kushteve të punës, duke përfshirë edhe ngritjen e pagës minimale.

Ndërsa kërkon që pagat në përgjithësi për punëtorët të jenë 500 euro.

“Paga minimale bëhet me një formule e cila llogaritet për 4 anëtarë, dhe në bazë të saj llogariten të hyrat e asaj familje dhe pastaj caktohet paga minimale. Por, nga mbledhja e fundit e cila është mbajt në dhjetor të vitit 2017, ne aty kemi rënë në dakord se paga minimale me qenë në 250 euro”.

“Tani jemi në vitin 2019 dhe BSPK-ja kërkon ngritjen e kësaj page prej 300-350 euro. Unë mendoj që paga duhet të jetë 500 euro që punëtorët mos të largohen, dhe ne qoftë së bëhet liberalizimi i vizave kemi me mbet pa punëtorë”, thotë ai.

I pari i BSPK-së, thotë se të drejtat e punëtorëve në Kosovë po shkelen dhe se po u mohohet e drejta për të themeluar sindikata.

“BSPK-ja është e penguar që të themelojë shoqata sindikale në sektorin privat. Nëse punëtorët e sektorit privat tentojnë ta themelojnë shoqatën, atëherë ata largohen nga puna. Sepse pa sindikatë nuk mund të mbrohen të drejtat e punëtorëve si duhet”, thotë ai.

Kryetari i BSPK-së, thotë se punëtorët po punojnë 12 orë dhe po paguhen vetëm për 8 orë, raporton EO.

“Kontrata e punës në sektorin privat zbatohet 50-50%, sepse punëtorët në sektorin privat punojnë edhe nga 12 orë, dhe ata paguhen për vetëm 8 orë.
Dakord nëse punëtori do të punonte vetëm 8 orë, por punëtori po punon 12 orë dhe po i merr 300 euro. Ne kemi problemin më të madh për vetëdijesimin e punëdhënësit se sa vetëdijesimin e punëtorit”, thotë ai.

Ajdini e pranon se ka shumë punëtorë në Kosovë që punojnë pa kontrata dhe sigurime pensionale, por që nuk kanë të drejtë të drejtë të marrim masa ligjore.

“Kemi shumë që punojnë në mënyrë ilegale dhe ne së bashku me inspektoratin e punës këto çështje i diskutojmë dhe marrim masa adekuate, dhe i vëzhgojmë situatat në teren. BSPK-ja nuk ka të drejtë të marrë masa ligjore, sepse nuk është institucion ekzekutiv, por në bashkëpunim me inspektoratin e punës e kryen punën e vetë që ti del në ndihmë punëtorëve.

Ajdini thotë se ekonomia mund të zhvillohet duke pas një politikë të shendosh mbi zhvillimin ekonomik.

Kritikon qeveritë e kaluara për të cilat thotë se e rrënuan ekonominë e vendit.

“Zhvillimi ekonomik mund të arrihet përmes fushës së bujqësisë, ndërtimtarisë dhe digjitalizimit. Ekonomia e vendit tonë mund të zhvillohet duke pas një politikë të shëndoshë mbi zhvillimin ekonomik. Por që të arrihet ky zhvillim duhet të vinë ne funksion intelektualët të cilët e njohin fushën e ekonomisë dhe zhvillimin e asaj”.

“Deri më tani të gjitha qeveritë tona që i kemi pas, kanë dështuar në këtë drejtim sepse e kanë rrënuar ekonominë e vendit, duke i shitë edhe ato fabrika të cilat kanë qenë dhe duke u marr me çështje të tjera kapitale”, thotë ai.