Aktivistët pro Palestinës në Britani pranë vdekjes nga greva e urisë

Heba Muraisi and Kamran Ahmed have refused food for 67 and 60 days, respectively, raising grave concerns for their health [Courtesy of Amareen Afzal, Shahmina Alam]

Tre aktivistë britanikë të lidhur me grupin Palestine Action ndodhen në gjendje kritike shëndetësore pasi kanë refuzuar ushqimin për më shumë se dy muaj, duke vazhduar grevën e urisë në burg në shenjë proteste.

Heba Muraisi dhe Kamran Ahmed kanë refuzuar ushqimin për 67 dhe 60 ditë respektivisht, ndërsa një i tretë, Lewie Chiaramello, po ndjek një grevë të pjesshme për shkak të diabetit. Familjarët dhe miqtë e tyre thanë për Al Jazeera se, pavarësisht rrezikut për jetën, ata janë të vendosur ta vazhdojnë protestën derisa kërkesat e tyre të përmbushen.

Sipas të afërmve, Muraisi vuan nga spazma muskulore, vështirësi në frymëmarrje, dhimbje të forta dhe rënie të ndjeshme të kujtesës, ndërsa Ahmed ka probleme serioze me zemrën, marramendje dhe humbje dëgjimi. Të dy janë shtruar disa herë në spital gjatë javëve të fundit.

Aktivistët ndodhen në paraburgim për akuza që lidhen me sulme ndaj objekteve të kompanisë izraelite të mbrojtjes Elbit Systems në Britani, akuza të cilat ata i mohojnë. Kërkesat e tyre përfshijnë lirimin me kusht, të drejtën për gjykim të drejtë dhe heqjen e ndalimit të grupit Palestine Action, të shpallur organizatë terroriste nga autoritetet britanike.

Mjekë dhe organizata për të drejtat e njeriut kanë paralajmëruar se greva e zgjatur e urisë mund të çojë në dëmtime të pakthyeshme shëndetësore ose vdekje, ndërsa qeveria britanike deri tani ka refuzuar të ndërhyjë, duke deklaruar se po ndjek procedurat standarde për raste të tilla në burgje. /mesazhi