Al-Nassr synon Modriqin e Hazardin

Pas Cristiano Ronaldos, ekipi nga Arabia Saudite, Al-Nassr, po synon t’i bëjë edhe dy transferime të mëdha gjatë kësaj vere, ka shkruar sajti “Sport” të mërkurën. Bëhet e ditur se ekipi saudit po synon t’i sigurojë shërbimet e mesfushorëve të Real Madridit, Luka Modriq e Eden Hazard. Madje, thuhet se krerët e Al-Nassr tashmë kanë kontaktuar me dy futbollistët për t’i bindur që ta vazhdojnë karrierën në Lindjen e Mesme.

Modriq 37-vjeçar në verë do të jetë lojtar i lirë nëse nuk i ofrohet rinovimi i kontratës nga Reali, ndërsa Hazard pritet të largohet për shkak se nuk ka bindur me paraqitjet e tij.

Modriqit thuhet se Al-Nassr i ka ofruar kontratë dyvjeçare me pagë vjetore mbi 20 milionë euro, ndërsa Hazardit 15 milionë euro në vit për të firmosur për tre vjet. Hazard ka kontratë me Realin deri në vitin e ardhshëm.