Allahu e mëshiroftë Nuhun!

Hoxhë Justinian Topulli

Nuhu (alejhi selam) duhet të ketë pasur durim të habitshëm dhe këmbëngulje për t’u admiruar, se si për vite, madje për shekuj me radhë, nuk u lodh së predikuari besimin në Zot, nuk u lodh së thëni të vërtetën dhe të drejtën, edhe pse me të u tallën, edhe pse e injoruan, edhe pse zinin veshët me duar që të mos e dëgjonin kur fliste, madje edhe e kërcënuan se do ta godisnin, por ai nuk hoqi dorë për asnjë moment!

Përderisa ai ishte profet i Zotit, nuk ka asgjë për t’u habitur, sepse profetët, të tillë njerëz janë, njerëzit më të mirë e më të zgjedhur mes njerëzve, më durimtarët dhe më këmbëngulësit në të vërtetën dhe të drejtën. Historia e tij përsëritet disa herë në Kuran, jo pa qëllim, por pikërisht si model dhe frymëzim për të dërguarin e Allahut, Muhamedin (alejhi salatu ue selam), dhe për ne, ndjekësit e tij.

Kur një herë të dërguarin e Allahut e rënduan fjalë të padrejta në adresë të tij nga radhët e muslimanëve, ai tha: “Allahu e mëshiroftë Musain, e kanë rënduar më shumë se kaq dhe bëri durim.”

E pra, Allahu e mëshiroftë Nuhun, sepse është lodhur shumë më tepër dhe ka duruar shumë më tepër, duke predikuar dhe folur për besimin, për të vërtetën dhe të drejtën, duke u përballur me kundërshtarët dhe dyshuesit dhe kurrë nuk u tërhoq.

Për të mbjellë pra, farën e Zotit që ka të gjitha mirësitë brenda, sot dhe kurdoherë, madje edhe mes muslimanëve, duhet durimi i Nuhut (alejhi selam). Lum ai që e ka!

Nga: Justinian Topulli