Allahu është mbuluesi

“Es Sat-tir-mbuluesi”, është një atribut i Allahut të Lartësuar, që vjen nga fjala “setër-mbulesë”. Nga kuptimet e fjalës arabe “Setër” është edhe kuptimi “fshehje”.

Shkruan: Selman ibn Fehd el Aude

Por “setër” ka gjithashtu edhe kuptimin “pengesë”, sikurse në thënien e profetit (a.s): “Kush sprovohet me diçka prej këtyre vajzave, ato i bëhen atij pengesë prej Zjarrit”[1].

Ky emër fisnik ka ardhur edhe në traditën profetike; Ebu Daudi ka transmetuar nga hadithi i Jeale-s, se profeti (a.s) pa një burrë, që po lahej në një vend të dukshëm dhe nuk e kishte veshur izarin (rrobe që vishet në brez e poshtë). Me këtë rast ai u ngjit në podium, falënderoi dhe e lavdëroi Allahun, pastaj tha: “Allahu i Lavdishëm dhe i Lartmadhëruar është i turpshëm dhe mbulues. Nëse dikush lahet, le të mbulohet!”. Ndërsa tek Nesaiu dhe Ibn Maxhe vjen: “Allahu i Lavdishëm dhe i Lartmadhëruar është i butë, i turpshëm, mbulues, e do turpin dhe mbulimin. Nëse dikush prej jush lahet, le të mbulohet!”.

Emri i Allahut “Es Sat-tir-mbulues” është bërë shumë publik tek disa njerëz me theksimin “Es Setir-mbuluesi”, aq sa kësaj cilësie i janë përcaktuar shumë emra njerëzish (Abdu-Setir), atribut ky që është i përafërt me atributin e parë “Es Sat-tir-mbulues”, si në artikulim ashtu edhe në kuptim.

Tek Bejhakiu transmeton nga Ikrimja dhe ky nga Abdullah ibn Abasi, se dy burra e pyetën Abdullahun lidhur me marrjen leje në tre situatat intime, për të cilat Allahu ka urdhëruar në Kuran. Ibn Abasi u tha: “Allahu është mbulues dhe e do mbulimin.” Njerëzit asokohe nuk kishin mbuloja dhe kanata në dyert e tyre. Ndodhte që personi të befasohej nga shërbyesi i tij, fëmija i tij ose jetimi prej të afërmve që kishte në kujdestari. Ndaj Allahu i Lavdishëm dhe i Lartmadhëruar urdhëroi të merrej leje për të hyrë në këto “kohë intime”, siç i titulloi Allahu i Lavdishëm dhe i Lartmadhëruar. Pastaj Allahu i begatoi në furnizim dhe u dha mundësi të kenë mbulesa dhe kanatë. Tanimë njerëzit ishin të mendimit se mbyllja e derës me kanatë erdhi si alternativë kundrejt marrjes leje, për të cilën qenë urdhëruar më parë…

Për trungun e fjalës së atributit të Allahut “Es Sat-tir-mbuluesi“, janë dy transmetime, njëri “Es Sat-tir” dhe tjetri “Es Setir“.

Profeti (a.s) e luste Zotin e tij, që Ai ta mbulonte, gjë që vjen e publikuar tek Ebu Daudi, në adresë të Ibn Umerit, i cili ka thënë: I dërguari i Allahut nuk i linte pa bërë duatë në vijim, as kur errej dhe as kur agonte: “O Allahu im, të lus të më japësh mirësi në dynja dhe Amshim! O Allahu im, të lus për shëndet dhe mirësi në fenë time, dynjanë time, në familjarët e mi dhe në pasurinë time! O Allahu im, mbuloji intimitetet e mia, garantoi ata që kam nën përgjegjësi! O Allahu im, mbromë mua përpara, pas, majtas, djathtas dhe sipër; e të kërkoj për hatër të madhështisë Tënde të më mbrosh që të mos më gjej vdekje nga poshtë meje“.

Allahu i Lavdishëm dhe i Lartësuar është mbulues; i mbulon robërit e Tij dhe nuk i demaskon në sytë e masës. Ai do prej robërve të Tij, që ata ta mbulojnë veten e tyre dhe të distancohen nga ajo që i shëmton ata. Ai është kundër dhënies pas të shëmtuarës dhe është mbulues i të metave dhe skandaleve.

Ai është i turpshmi, robin e Tij s’e demaskon,

Kur robi haptazi, i kundërvihet me çfarë bën,

Porse mbi robin, mbulesën e Tij e lëshon,

Ai është falësi që mëkatin e mbulon.

Allahu mbulues, urdhëron të mbulohemi dhe të fshihemi, në rast se gabojmë. Ai e urren veprimin e mëkatit haptazi: “Ata, të cilët dëshirojnë që te besimtarët të përhapet dukshëm dukuria e imoralitetit, ata i pret dënimi i dhembshëm në këtë dhe në botën tjetër. Allahu di (çdo të fshehtë) e ju nuk dini”[2].

Ebu Hurejra (r,a) transmeton, se i dërguari i Allahut ka thënë: “I gjithë kombi im (islam) është me të mira, përveç vepruesve (të mëkatit) dukshëm. Prej marrëzisë është që personi të bëjë natën një punë, pastaj vjen mëngjesi dhe Allahu ia ka mbuluar atë, por ai thotë: O filan, bëra mbrëmë kështu e kështu. Kaloi mbrëmjen i mbuluar nga Allahu dhe gdhihet duke e zbuluar mbulesën, me të cilën e mbuloi Allahu”[3].

Nëse besimtari bie në mëkat, ose bën lëshim kundrejt një obligimi, e mbulon dhe e fsheh atë në kulm. Transmetohet në adresë të dikujt prej selefëve (gjeneratave të para të myslimanëve) se njëri prej tyre doli për në xhami dhe i gjeti njerëzit duke dalë nga xhamia (e kishin kryer faljen), kështu që ai e mbuloi fytyrën dhe u kthye.

Hyjnia ime, që me dashamirësinë tënde më kaplove,

Me butësi më fshehe, me mëshirë me mbulove,

Pafundësish mbulomë, në çështjet e mia përgjithmonë!

Shpëtomë, më armatos, forcoma përkuljen time, triumfomë!

Mos më poshtëro o Ti të Cilit ia dedikova përgjërimin tim!

Lehtësoi çështjet e mia, jam në luhatje dhe hezitim.

Allahu i Lavdishëm dhe i Lartmadhëruar Ditën e Ringjalljes, do t’i thotë robit të Tij mëkatar: “Bërë kështu e kështu”. Robi thotë: “Po”. Vijon t’i thotë: “Bëre edhe kështu e kështu”. Robi thotë: “Po”. Pastaj Allahu i thotë: “Unë t’i mbulova këto në dynja dhe Unë po t’i falë sot”[4].

Lavdiploti mbulues, e do mbulimin dhe e inkurajon atë. Ai na josh që të jemi prej atyre, që i mbulojnë të metat dhe lëshimet. I dërguari i Allahut ka thënë: “Atë që mbulon një mysliman, do ta mbulojë Allahu Ditën e Ringjalljes”[5].

Lavdiploti mbulues, nuk do që të përgjojmë intimitetet (auretet) e myslimanëve dhe t’i zbulojmë ato; pasi prej emrave të Tij është atributi “mbulues”. Ebi Berza el Eslemiu transmeton, se i dërguari i Allahut ka thënë: “O ju që keni besuar me gjuhën tuaj dhe që besimi nuk ka hyrë në zemër, mos i përgojoni myslimanët, mos i përgjoni intimitetet e tyre. Kush përgjon intimitetet e tyre, Allahu do ta përndjekë atë në intimitetin e tij dhe kë përndjek Allahu në intimitetin e tij, ka për ta demaskuar në shtëpinë (tek familjarët) e tij”[6].

Lëvduar qofsh o Allah, o Stolisës me mbulojë,

Lëvduar qofsh, në pafundësinë e çdo ylli që do vërshojë,

E dhurove dhe e deshe të bukurën dhe kështu do vazhdojë,

I butë me ne, Ti e njeh veten si je, teksa ne dot s’të konceptojmë.

[1] Transmeton Bukhariu.

[2] Nur: 19.

[3] Transmetim i Bukhariut.

[4] Transmeton Bukhariu.

[5] Transmeton Bukhariu dhe Muslimi.

[6] Transmeton Ebu Daudi etj.

/ardhmeriaonline