Ambasada gjermane njofton se është zgjatur deri më 15 qershor kufizimi për të hyrë në Gjermani

Ambasada e Gjermanisë në Prishtinë ka njoftuar se për shkak të shpërthimit të pandemisë COVID-19, udhëtimet për shtetasit të cilët nuk janë pjesë e BE-së e që dëshirojnë të hyjnë në Gjermani jashtë zonës së Shengenit, janë zgjatur deri më 15 qershor 2020.

“Që nga 17.03.2020 përkohësisht deri më 15.06.2020 vlejnë kufizimet e zgjeruara të hyrjes gjatë udhëtimit për në Gjermani. Për arsye të kufizimeve ekzistuese të hyrjes për të gjitha udhëtimet, jo patjetër të nevojshme nga shtetet e treta për në Republikën Federale të Gjermanisë me qëllim të ndalimit të përhapjes së COVID-19, ambasada në këtë kohë parimisht nuk mund të pranojë aplikacione të reja për viza. Derisa kufizimet e hyrjes ekzistojnë edhe më tej, pranimi i aplikacioneve realizohet vetëm në raste të veçanta, në qoftë se ekzistojnë arsye të detyrueshme, të cilat i arsyetojnë përjashtimet e parapara të kufizimeve të hyrjes”, thuhet në njoftimin e ambasadës, shkruan Telegrafi.

Ambasada ka njoftuar po ashtu se kufizimet nuk vlejnë për shtetasit gjerman dhe ata të cilët posedojnë leje qëndrimi për në Gjermani dhe të cilët duan të kthehen në vendbanimin e tyre.

Po ashtu është bërë e ditur se kufizimet e hyrjes për qytetarët e BE-së dhe banorët e përhershëm të BE-së mund të hiqen gradualisht gjatë javëve të ardhshme.