Anëtarët e NATO-s luftojnë për gjetjen e kryetarit të ri

Disa qeveri kërkojnë një grua si Sekretaren e Parë të Përgjithshme të NATO-s

Gara për zgjedhjen e kreut të ri të NATO-s po zhvillohet edhe në hije, pa asnjë sinjal të qartë se kush mund të jetë fituesi. Kreu aktual i NATO-s Jens Stoltenberg do të japë dorëheqjen në fund të Shtatorit pas nëntë vjetësh në këtë post.

Kohët e fundit janë përfolur disa emra të mundshëm që mund ta pasojnë Stoltenbergun në krye të aleancës ushtarake. Sekretari britanik i Mbrojtjes Ben Wallace deklaroi javën e kaluar se e lakmon këtë pozicion.

Por, ndërsa disa qeveri kërkojnë një grua si sekretaren e parë të përgjithshme të NATO-s, kryeministrja daneze Mette Frederiksen po shfaqet gjithashtu si një pretendente serioze.

Kryeministrja e Estonisë, Kaja Kallas, presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen dhe zëvendëskryeministrja kanadeze Chrystia Freeland janë gjithashtu emra të mundshëm në diskutimet mes diplomatëve.

Por diplomatët thonë se Kallas mban një qëndrim shumë të ashpër ndaj Rusisë. Emra të tjerë që dalin shpesh në diskutime janë kryeministri veteran holandez Mark Rutte dhe kryeministri spanjoll Pedro Sanchez.

Por Rutte këmbëngul se nuk e dëshiron këtë punë. Ndërsa Sanchez është para zgjedhje të përgjithshme këtë vit.

Disa diplomatë dyshojnë gjithashtu se shumë kandidatë të mundshëm mund të jenë të papranueshëm për presidentin turk Tajip Erdogan. Turqia, së bashku me Hungarinë, po e pengojnë tani anëtarësimin e Suedisë në NATO.

Mungesa e dukshme e kandidatëve me mbështetje të gjerë ngre mundësinë që mandati i Stoltenberg-ut të zgjatet përsëri, ndoshta deri në samitin tjetër të NATO-s në vitin 2024.

Stoltenberg ka thënë se nuk po kërkon të qëndrojë më gjatë. Por nuk ka saktësuar se si do të përgjigjet nëse i kërkohet një gjë e tillë. /tvklan