Apple paralajmëron përdoruesit në 98 vende të botës të cilët beson se po përgjohen

Është paralajmërimi i dytë që vjen nga kompania këtë vit i ngjashëm më një paralajmërim që dërgoi tek përdoruesit e saj në 92 vende të botës në muajin Prill.

Apple ka lëshuar një raund të ri paralajmërimesh për përdoruesit e iPhone në 98 vende të botës duke ju thënë se janë në rrezik të sulmesh të mundshme me softuerë përgjimi – spyware.

Është paralajmërimi i dytë që vjen nga kompania këtë vit i ngjashëm më një paralajmërim që dërgoi tek përdoruesit e saj në 92 vende të botës në muajin Prill.

Që prej 2021 Apple në mënyrë të vazhdueshme ka dërguar njoftime të tilla duke arritur përdoruesit në 150 vende të botës. Paralajmërimi i ditës së Mërkure nuk zbuloi identitetin e sulmuesve e as vendet ku përdoruesit kanë marrë njoftimin.

“Apple ka identifikuar se ju jeni duke u vënë në shënjestër një sulmi mercenar me spyware dhe që po përpiqet të kompromentojë iPhone e lidhur me Apple ID – xxx-,” shkruante paralajmërimi i kompanisë për përdoruesit e prekur.

“Ky sulm me shumë gjasa po ju shënjestron juve specifikisht për atë çfarë jeni apo bëni. Edhe pse nuk është kurrë e mundur të arrihet siguri absolute kur zbulohen sulme të tilla, Apple ka besim të lartë në këtë paralajmërim – ju lutemi merrni seriozisht,” thuhet në njoftim.

Përdoruesit në Indi janë në mesin e atyre që kanë marrë paralajmërimin më të fundit. Në Tetor të vitit të kaluar një njoftim i tillë u dërgua tek disa gazetarë dhe politikanë në këtë vend.

Amnesty International, një grup mbrojtës i të drejtave të njeriut, më vonë raportoi se zbuloi praninë e Pegasus, një spyware shumë invaziv i zhvilluar nga firma izraelite NSO Group, në iPhone-ët e gazetarëve të shquar indianë.