Apple thyen mitin: Mos përdorni oriz për të tharë një iPhone të rënë në ujë

Por ndryshe nga kjo këshillë popullore, Apple, nuk rekomandon vendosjen e telefonit të rënë në ujë në një enë me oriz.

Rënia e telefonit në ujë nuk është diçka që nuk i ka ndodhur shumicës së përdoruesve të paktën njëherë në jetë.

Nëpër internet ka qarkulluar vazhdimisht një këshillë për situata të tilla përmes të cilës mund të nxirrnim jashtë telefonit ujin e hyrë brenda duke përdorur oriz.

Por ndryshe nga kjo këshillë popullore, Apple, nuk rekomandon vendosjen e telefonit të rënë në ujë në një enë me oriz.

“Mos e vendosni iPhone në oriz. Duke vepruar kështu, thërrmija të vogla të orizit mund të dëmtojnë iPhone tuaj,” shkruan Apple në dokumentet e mbështetjes.

Apple gjithashtu sugjeron që të mos përdoren burime të jashtme nxehtësie siç janë tharëset e flokëve. Apple thotë që gjëja më e mirë do të ishte shkundja e telefonit me konektorin e energjisë të drejtuar poshtë.

Kompania thotë se iPhone duhet lënë në një hapësirë me qarkullim ajri të thatë për rreth 30 minuta përpara karikimit të tij. Nëse njoftimet e ujit vijojnë të shfaqen në iPhone, duhet të prisni deri në 24 orë që të thahet plotësisht.

Për vite me radhë orizi mendohej si gjëja e duhur për të tharë dhe shpëtuar një pajisje elektronike të rënë në ujë.