Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Arabia Saudite dënon deklaratat e ambasadorit amerikan për Lindjen e Mesme, kërkon...

Arabia Saudite dënon deklaratat e ambasadorit amerikan për Lindjen e Mesme, kërkon sqarim nga SHBA

Arabia Saudite ka dënuar ashpër deklaratat e ambasadorit amerikan në Izrael, Mike Huckabee, i cili sugjeroi se do të ishte e pranueshme që Izraeli të merrte kontrollin e të gjithë Lindjes së Mesme, përfshirë Bregun Perëndimor.

Në një deklaratë zyrtare, Ministria e Jashtme saudite tha se i “dënon kategorikisht” këto komente, duke i cilësuar si të papërgjegjshme dhe në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare, Kartën e OKB-së dhe normat diplomatike të pranuara.

Sipas Riadit, deklaratat përbëjnë një precedent të rrezikshëm, veçanërisht pasi vijnë nga një zyrtar i lartë amerikan, dhe tregojnë shpërfillje ndaj marrëdhënieve mes SHBA-së dhe vendeve të rajonit.

Arabia Saudite paralajmëroi se qëndrime të tilla kërcënojnë paqen dhe sigurinë ndërkombëtare, duke nxitur armiqësi ndaj popujve dhe shteteve të Lindjes së Mesme dhe duke minuar rendin ndërkombëtar të bazuar në respektimin e sovranitetit dhe kufijve të njohur ndërkombëtarisht.

Riadi zyrtar i bëri thirrje Departamentit amerikan të Shtetit të sqarojë qëndrimin e tij lidhur me këto deklarata, duke theksuar se propozimi është refuzuar nga vendet paqedashëse në mbarë botën.

Në fund, Arabia Saudite rikonfirmoi kundërshtimin e saj të palëkundur ndaj çdo veprimi apo deklarate që cenon sovranitetin dhe integritetin territorial të shteteve, duke theksuar se paqja e drejtë dhe gjithëpërfshirëse mund të arrihet vetëm përmes përfundimit të pushtimit dhe zbatimit të zgjidhjes me dy shtete, me krijimin e një shteti të pavarur palestinez në kufijtë e vitit 1967 dhe me Jerusalemin Lindor si kryeqytet. /mesazhi